Efiçenca e policisë gjyqësore, Llalla mbledh ministrat përgjegjës

11/01/2016 16:50

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla nuk ka pritur të kalojë shumë kohë nga ankesa e Këshillit të Prokurorisë për mungesë të efiçencës së oficerëve të policisë gjyqësore që të thërrase në takim katër krerët e ministrive që i kanë ata në organike.

Mesa duket, kryeprokurori ka shfrytëzuar takimin periodik vjetor mes palëve për të shtruar në tryezë kërkesën e shtimit të numrit të oficerëve të policisë gjyqësore dhe nevojën e kualifikimit të tyre.

Në takim ishin të pranishëm ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë, ministri i Mjedisit, ai i Financave, si dhe drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Doganave dhe Tatimeve.

“Takime të tjera do pasojnë me rakordimin e çështjeve konkrete, veçanërisht sa i takon korrupsionit dhe krimit financiar. Por, në linjë parimi ne biseduam për koordinimin më të mirë të agjencive dhe kualifikimin e burimeve njerëzore për të çuar me sukses përpara dhe sa më shpejt çështjet penale”, ka deklaruar në përfundim të takimit ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Gjatë takimit ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka nënvizuar se shtimi i numrit të përgjithshëm të oficerëve të policisë gjyqësore ka kosto financiare dhe për këtë arsye institucionet duhet të paraqesin argumenta të plota.

Aktualisht parashikohet për t’u shtuar në organikë 19 oficerë të policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit, 2 në Dogana dhe 7 në Tatime.

Top Channel