Kanalizimet tek Pazari i Ri, Veliaj inspekton punimet: T’i rikthejmë higjenën tregut

11/01/2016 17:05

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka inspektuar nga afër përfundimin e rrjetit të kanalizimeve në projektin e Pazarit të Ri, ku brenda këtij muaji do të fillojë edhe ndërtimin e merkatës së fruta-perimeve.

“Ideja është që të kemi sa më shumë hapësira të tilla pedonale, sa më shumë hapësira për komunitetin e sa më shumë hapësira me tregje që i shërbejnë qytetarëve në mënyrë higjenike”, u shpreh Veliaj.

Duke theksuar se ai mbetet një fanatik i prodhimeve bio lokale dhe duke renditur edhe tregjet e lëvizshme që u hapën në njësi të ndryshme të Tiranës gjatë festave të fundvitit, Veliaj njoftoi edhe vijimin e disa investimeve të tjera që lidhen me sistemimin e tregjeve të qytetit.

“Do të kemi një treg në rrugën “Petro Nini Luarasi”, që lidhet në kryqëzim me rrugën “Vath Koreshi”, e cila ka qenë një ngërç i jashtëzakonshëm. Po ashtu edhe në rrugën e Porcelanit, ku kemi një treg të improvizuar e që kërkon patjetër ndërhyrje për sistemim. I gjithë ky frymëzim vjen nga standardi që po vendosim këtu në Pazarin e Ri”, tha Veliaj.

Top Channel