Kosovë, qeveria përllogarit dëmet nga protesta e opozitës

11/01/2016 00:00

Ende pa përfunduar llogaritjet e dëmeve, që i janë shkaktuar objektit të qeverisë dhe pronave publike nga protesta e 9 janarit, Qeveria e Kosovës ka marrë masa parandaluese për të shmangur dëme të reja.

Zëdhënësi i qeverisë, Arban Abrashi ka thënë për Top Channel se, sulmet e vazhdueshme të aktivistëve të opozitës kanë bërë që qeveria, përveç punës, t’i kushtojë një vëmendje të shtuar edhe ruajtjes së pasurisë publike nga dëmet që po shkaktohen.

“Po, me të vërtetë ne jemi duke marrë masa shtesë në vazhdimësi dhe kjo po vështirëson mbarëvajtjen e punëve të tjera. Në vend që të merremi me mirëqenien e qytetarëve, tashmë si qeveri duhet të investojmë shumë mund dhe energji në parandalimin e skenave, si ato që pamë”, tha Arban Abrashi, zëdhënës i qeverisë.

Qeverinë e Kosovës, më shumë sesa dëmet e objekteve publike, e shqetëson dëmtimi i imazhit të shtetit, pasi – sipas Abrashit, – pamjet e protestës së 9 janarit kanë ngjallur shumë reagime nga ndërkombëtarët.

“Me rëndësi është të përmirësohet imazhi që është dhënë nga Kosova, pasi kanë reaguar komisioneri Hahn, zyra e Bashkimit Europian këtu, ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, si dhe ambasadorët përkatës në Kosovë. Kjo tregon se, dëmet janë të shumëfishta në aspektin ndërkombëtar dhe ky është një mesazh shumë i keq, qoftë për investitorët potencialë, qoftë për rendin dhe sigurinë brenda vendit, por edhe për sigurinë në rajon”, tha Arban Abrashi.

Pavarësisht protestave të opozitës dhe dëmeve që po sjellin ato, kryeministri Isa Mustafa është i vendosur të vazhdojë qeverisjen, ndërsa nuk ka dashur të komentojë sjelljet e opozitës në protestë.

“Qeveria do të vazhdojë të punojë deri në vitin 2018, faleminderit”, tha Mustafa.

Ndërkohë që qeveria po bën llogaritjen e dëmeve, që janë shkaktuar nga protesta e 9 janarit, organet e drejtësisë kanë nisur hetimet për gjetjen e protestuesve, që kryen sulmet me bomba molotov. Në zyrën e kryeprokurorit në Prishtinë kanë bërë të ditur se, tashmë kanë nisur hetimet për arrestimin e të dyshuarve, për sulmet në protestën e organizuar nga opozita.

Të hënën gjatë ditës, Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar përmes një komunikate për masën e sigurisë prej “një muaji arrest shtëpiak” ndaj një protestuesi, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Top Channel