Teoritë konspirative mbi arrestimin e Joaquin “El Chapo” Guzman

11/01/2016 18:30

Bosi më i madh i drogës në Meksikë, Joaquin Guzman Loera, i njohur ndryshe si El Chapo, u arrestua pas një shkëmbimi intensiv zjarri mes marinës meksikane dhe rojeve të tij në Sinaloa.

Edhe pse autoritetet meksikane deklaruan se i gjithë operacioni për kapjen e El Chapo ishte merita e tyre, të dhëna të tjera sugjerojnë se njësi speciale të agjencive ligjzbatuese amerikane, JSOC, ishin të përfshira në këtë mision.

Sipas revistës “Soldier of Fortune”, ishin pikërisht agjentët federalë amerikanë që luajtën një rol kyç në gjurmimin e baronit të drogës, ndërkohë që në terren ishte edhe një njësi Delta Forcë.

Megjithatë, operativët e kësaj njësie elitë shërbyen vetëm si këshilltarë taktikë dhe nuk morën pjesë në mënyrë direkte në operacion.

Një gjë e tillë nuk është e papreçedentë, pasi njësitë Delta kanë punuar në fshehtësi edhe gjatë kërkimeve për kapjen ose vrasjen e Pablo Escobar në Kolumbi.

Ato kanë qenë në rolin këshillues edhe në misionet e shpëtimit të pengjeve në Peru dhe prapa skenave në arrestimin e ish-liderit të Panamasë, Manuel Noriega, gjatë pushtimit të vitit 1989.

Gjithashtu, dihet që administrata amerikane u ka ardhur në ndihmë marinsave meksikanë, duke i furnizuar me aparate satelitore për përgjime, automjete dhe armatime moderne.

Por ndërkohë, ka edhe një version tjetër të arrestimit të El Chapo. Sipas “SOF”, operacioni i qeverisë meksikane i koduar “Mjelma e Zezë” kishte në fokus vrasësin kryesor në shërbim të Guzman dhe se këtë të fundit e hasën fare rastësisht.

Marinsat meksikanë bastisën vendin ku ndodhej vrasësi dhe në shkëmbimin intensiv të zjarrit 5 anëtarë të kartelit mbetën të vrarë dhe 6 të plagosur. I plagosur mbeti edhe një marins.

Gjatë luftimeve, El Chapo u largua përmes disa tuneleve dhe u përpoq të arratisej me një automjet të vjedhur. Por agjentët federalë e vunë re praninë e tij dhe e arrestuan në vend. Pra, arrestimi i bujshëm ishte vetëm një rastësi e shoqëruar me fatin.

Top Channel