Shërbimi i provës, 400 raste në 2015-n të të miturve të përfshirë në vepra penale

11/01/2016 00:00

Kriminaliteti te të miturit nuk është fenomen i panjohur në Shqipëri. Të ndikuar nga rrethanat sociale apo nga kushtet ekonomike, ata kryejnë vepra penale si “grabitje me apo pa armë”, e deri te konfliket banale, që degjenerojnë në plagosje e vrasje.

Por çfarë thonë shifrat e shërbimit të provës, ku të miturit kanë bërë dënimet alternative për vitin 2015?

Një vit më parë, numri total nën mbikëqyrje i të miturve të dënuar me një prej dënimeve alternative ishte 400, ndërkohë veprat penale më të përhapura ishin vjedhja, vjedhja në bashkëpunim dhe drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur apo pa dëshmi.

Nëse u referohemi statistikave të administruara ndër vite rezulton se, për 2009-n, vit kur u krijua shërbimi i provës, kanë qenë në periudhë prove 109 të mitur, një numër ky i shumëfishuar për vitet në vijim, deri në trefishim në vitin 2013, me 311 të mitur.

Trendi në rritje nuk përbën aspak një lajm të mirë, por kërkon nevojën për të forcuar bashkëpunimin me organizatat jofitimprurëse, në mënyrë që të parandalohen shumë vepra penale me protagonistë minorenët.

Top Channel