Sulmi ndaj Mehës, reagon Qeveria e Kosovës

11/01/2016 00:00

Qeveria e Republikës së Kosovës e dënon ashpër sulmin e grupeve parapolitike brenda 3 partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, kundër Murat Mehës, kryesues i Komisionit shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.

Në reagimin e qeverisë, pak orë pas sulmit ndaj Mehës thuhet se, “aktet e ulëta dhe të dhunshme, të kryera nga aktivistët e 3 partive opozitare, të cilët po hedhin ‘molotovë’ mbi policët dhe institucionet e vendit, po dëmtojnë pronat private dhe po lëndojnë qytetarët e gazetarët, janë veprime që kanë për synim zhytjen e vendit në anarki, duke mos kursyer tashmë as jetën dhe shëndetin e njerëzve”.

“Pas djegies së planifikuar të institucioneve një ditë më parë, tashmë aktivistët e 3 partive po sulmojnë qytetarët e vendit, me qëllim që të mbjellin frikë dhe mundësisht të provokojnë reagime dhe konflikte ndërmjet qytetarëve të vendit”, thuhet në reagim.

Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët të mos bien prè e këtyre provokimeve, por të bashkuar të refuzojnë skenaret e errëta, të cilat po synojnë t’i zhbëjnë të gjitha sukseset e arritura në Kosovë për dekada të tëra, me të vetmin qëllim realizimin e ambicieve politike.

Qeveria fton gjithashtu organet e rendit, që të marrin masa për kapjen e autorëve të këtyre sulmeve qyqare dhe për parandalimin e përsëritjes së veprimeve të tilla të ulëta, – siç thuhet, – të dirigjuara nga selitë e 3 partive opozitare.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, me këtë rast shpreh vendosmërinë e saj të plotë, për të punuar në realizimin e synimeve të qytetarëve të Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian, me mbështetjen e qytetarëve të vendit dhe në partneritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Europian”, thuhet në reagimin e qeverisë.

Top Channel