“Shqipëria tjetër”, me sytë nga shiu…

11/01/2016 00:00

Rruga kalon përmes Rragamit, por asnjë tabelë nuk të tregon nga duhet të marrësh për në fshatin Sheldi. Zgjidhjet janë dy, nëse nuk ke një celular, të cilit t’i përdorësh hartën satelitore, atëherë duhet të pyesësh. Në të kundërt, orientimi bëhet i vështirë. Nga aksi i shtruar janë 4 kilometra, që e shkundin më së miri makinën, duke e vënë jo pak në provë rezistencën e saj.

“Ai është një fshat me histori të hershme, por kjo nuk i ka shërbyer për të pasur një të tashme më të mirë. E kur flasim për një të tashme më të mirë nuk nënkuptojmë diçka të çuditshme, por disa elementë që garantojnë jetesën normale të një komuniteti”.

Në ditë të tilla, kur moti i keq sjell jo pak vështirësi në të gjithë vendin, kur zona të tëra u përmbytën e ku lumenjtë vërshuan fuqishëm drejt fushave, banorët e Sheldisë janë më me fat. Kjo, sepse këtu vetëm përmes shiut mund të shuhet etja. Çfarë do të thotë kjo? Sheldija nuk ka ujë dhe zgjidhja e vetme, qoftë për të pirë e gjithçka tjetër, duhet pritur nga qielli…

“Për dimër s’ka nevojë, se dimri bën të vetën. Kemi problem gjatë gjithë verës, se nuk ka ujëra. Ne konsumojmë ujin e shiut dhe nëse nuk bie shi, duhet ta kursejmë. Në të tilla raste përdorim ujin e sjellë me bote. Aty, dikush ka lek e dikush s’ka mundësi, këta të fundit duke e marrë te njëri-tjetri sa për të kaluar radhën. Lutemi që të bjerë shi gjatë verës”, thotë Robert Filipi.

Uji i shiut kalon përmes ulluqeve të çative e më pas derdhet në depozitat e ngritura nga banorët. Kjo është e vetmja mënyrë, tjetër s’ka. Nëse nuk ka reshje, atëherë uji vjen përmes boteve, që e sjellin për ta tregtuar këtu. 7 metra kub ujë shkon rreth 7 mijë lekë. E thënë ndryshe, 1000 lekë metri kub i ujit. Tej në horizont duket liqeni i Vaut të Dejës, e megjithatë Sheldija thahet për ujë. Puset kërkojnë shumë parà për t’u hapur, sepse uji – siç thonë banorët, – gjendet në kuota ekstreme.

“Ku ka siguri këtu, askush nuk ka ardhur t’i bëjë kurrfarë analizash. Vetëm çfarë vjen prej Zotit, asgjë tjetër. Nuk kemi as me çfarë ta filtrojmë, thjesht çfarë bie këtu ne e pijmë”, thotë Valentin Zefi.

“Jo, normale nuk është kjo situatë. Uji ka shkuar edhe në zona më të largëta, duke e çuar me pompa apo me çdo gjë tjetër. Vetëm Sheldijen e kanë lënë kështu këta”, thotë Cin Jaku.

Në fakt, ky fshat nuk është i vendosur aty së fundmi, përkundrazi. Emri i tij shkon thellë në histori. Që prej 1775-s, sado e çuditshme të duket, banorët e Sheldisë mësonin gjuhën shqipe, fshehurazi, në shtëpinë e një famulltari. Kanë qenë jo pak klerikë patriotë, që kanë dalë nga kjo trevë, ashtu si figurat e njohura që bënë emër në Shkodër e përtej saj. Kjo tregon dëshirën, që ky fshat ka pasur gjithmonë për arsim e dije, e ndërkohë edhe historinë e hershme të këtij komuniteti. Vështirësitë e kanë tkurrur dikur, ato po e tkurrin edhe sot. Mjafton të shikosh se Sheldija, që sot ka rreth 130 familje, dikur ka pasur disa fish më shumë banorë nga sot.

Toka për frymë është shumë pak, mjafton të llogarisësh se ka edhe familje me 700 metra apo një, dy e 3 dynymë, e me të duhet të mbahen në kushtet kur, pa ujë, vetëm duhani i famshëm i kësaj zone mund të prodhohet. Por, edhe atë s’mund ta shesin, sepse atyre u kërkohet të paguajnë detyrimet tatimore edhe për këtë produkt mbijetese. Shumë duhan është bllokuar, e në këto kushte, shumica e kanë stok në shtëpitë e tyre.

“Fshati Sheldi, ngaqë është një fshat pa ujë, pa rrugë, pa drita e pa asgjë, nuk është mbikëqyrur kurrë nga shteti. Edhe duhanin uk po na e lënë ta tregtojmë. Nuk rri kush për një vend të shëndoshë në Sheldi, as po vjen kush nga poshtë të mbjellë duhan. Njerëzit pothuajse po ikin prej këtyre vështirësive”, thotë Marjan Perlalaj.

“4 mijë lekë të shkojmë në Shkodër e të vijmë. Jemi pa punë, pa asgjë. Edhe atë duhan që kanë bërë, qeveria s’na lë, s’kemi ku ta çojmë e ku ta shesim. Kjo situatë është, s’ka më keq përveç vdekjes”, thotë Mond Jaku.

Nëse kërkon të numërosh problemet e Sheldijes është e vështirë. Ato fillojnë te rruga, që është elementi parësor që duhet të sjellë zhvillim. Vazhdojmë me ujin, me duhanin, e përfundojmë me arsimin e shëndetësinë. Ekziston vetëm një ngrehinë, që duket si kolibe, që shërben si qendër shëndetësore e përuruar rreth 8 vite më parë.

“Kjo është qendra shëndetësore e inaguruar në vitin 2007, por që prej atëherë nuk është bërë asnjë vaksinë. Asnjë infermier nuk është kujtuar të vijë këtu. Ne jemi si të vinim nga një tjetër botë. Nuk ka nevojë për koment, sepse ju e shihni vet sesi është jetesa këtu”, thotë Eduard Jaku.

Diku më tej është edhe shkolla, që sot ka 15 nxënës, nga mëse 110 që ka në tërësi fshati. Këtu mësojnë fëmijët e familjeve më të pamundura. Shumica, për shkak të kushteve të këqija të godinës, detyrohen të shkojnë në Rragam. 1500 lekë është kostoja mujore e çdo fëmije për të udhëtuar në fshatin tjetër. Një prind që ka dy apo edhe 3 fëmijë duhet të paguajë vetëm për rrugëtim me furgon deri në Rragam, mbi 4500 lekë në muaj. Por në këto kushte, nga duhet të vijnë të ardhurat e banorëve? Mos ndoshta edhe ato duhet të bien nga qielli, si shiu, sa kohë as produktin e vetëm, duhanin nuk munden ta tregtojnë? Si duhet të jetojë ky komunitet, që shquhet për mikpritjen e për të qenit njerëz punëtorë e të mirë?

“Me vështirësi, me vështirësi, me probleme dhe me forca”, thotë Kol Jaku.

“Këtu jetohet për mbijetesë, nuk kemi rrugë, s’kemi shkollë, s’kemi ujë, është shumë vështirë”, thotë Vlash Perlalaj.

Sheldija nuk është në fund të botës, por vetëm pak më tej. Nuk po kërkon asgjë të çuditshme, por veç kushtet më minimale për të jetuar. A nuk është ky detyrimi i një shteti? Sot për sot, Sheldija është lënë krejtësisht mënjanë, ashtu si banorët e saj, që duhet të presin me sytë nga qielli…

Top Channel