“Fiks Fare” kap sekserët e gjykatave, fakte për korrupsionin në drejtësi

11/01/2016 22:30

Emisioni “Fiks Fare” ka sjellë në puntatën e kësaj të hëne fakte mbi mënyrën sesi funskionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri, i përfshirë në skema të rënda korrupsioni.

Ndërsa në ditët në vazhdim emisioni investigativ do të sjellë sekserët dhe avokatët që kërkojnë para në këmbim të vendimeve gjyqësore. Bëhet fjalë për vendime gjykate ku të vdekurit ngjallen e dëshmojnë në seancë gjyqësore. Vendime që bien ndesh me vendimet e Gjykatës së Lartë, prokurorë që ndryshojnë vendngjarjen e zvarrisin hetimet në këmbim të parave.

Rasti i parë është ai i një zonje nga Lezha, e cila është ankuar tek “Fiksi” për problemin e vëllait të saj. Sekseri i saj në këtë rast është avokati.

“Problemi im është se vëllai mbahet në burg prej 7 muajsh për një çështje banale me një fqinj, pas të cilës e arrestuan dhe e akuzuan për kanosje. Ka bërë një gjyq me avokatin Preng Lleshi dhe gjyqtarin Dedë Dedaj. Avokati më ka thënë që duhet bërë ndërmjetësim tek gjyqtari me 3 milionë lekë që ai të lihet i lirë ose të shpallet i pafajshëm. Për shkak të arsyeve financiare i jam drejtuar “Fiksit””, thotë ajo.

Ja dhe biseda e zhvilluar mes qytetares dhe avokatit Preng Lleshi

Qytetarja: Është hall i madh të kesh 3 vëllezër në burg…

Avokati: Sot njëri, nesër tjetri, të gjithë dalin. Maksimumi dy vjet burg bëjnë.

Qytetarja: Ti pyet e konsultohu dhe pyete, kështu është o Dedë (kryetari i gjykatës)? A e kupton?

Avokati: 5 mijë euro të mi jepnin në fillim ia ndaja prokurorit. I thoja, ndërroi letrat që të jenë gati për t’i nxjerrë. Unë po të kërkoj pafajësinë, ti jepi pafajësinë.

Pasi avokati hyn në gjykatë del prej andej dhe vijon bisedën

Avokati: E nxjerr jashtë, 99 për qind e sigurtë.

Qytetarja: Jashtë, jo 99 për qind. A ke folur me të? Ne jemi gati të përgjigjemi më datë 27, përnjëherë jashtë dhe përnjëherë të përgjigjemi.

Avokati: I keni gati?

Qytetarja: Po, në dorë. Sapo ta lirojnë ti në punën tënde, unë në punën time dhe të falenderoj shumë. Po ky gjyqtari ka të drejtë për të dëgjuar prokurorin?

Avokati: Nuk e dëgjon fare. Po të dojë nuk e dëgjon fare. Domethënë, duhet kapur prokurori se s’bën. Unë prokurorin nuk e kam kapur se kam frikë se mos acarohet, tutet, apo kush e di… Ose kam frikë se kërkon pare shumë, ose përdor Dedën (kryetarin e gjykatës) si vegël më mbrapa. A e kupton?

Qytetarja: Po, po.

Avokati: Por në daç, deri nesër a pasnesër është e prerë që e takoj. Ta marrë në pyetje shpejtë, ta mbyllë çështjen shpejtë, ta dërgojë në gjyq çështjen, të kërkojë dënimin më të ulët, të kërkojë diçka e ta nxjerrim nga burgu.

Qytetarja: Po prokurori nuk merr asnjë lek?

Avokati: Nuk e di ç’do bëj me atë shokun tjetër që e mori përsipër. Me gjyqtarin e kemi bërë. Gjyqtarit do t’i themi kështu, kështu më intereson mua, që personi të dalë nga burgu. Kështu e lëmë, t’i shmangemi rrezikut të daljes direkt. Ne rrezikun e kemi përballë. Nga 1 deri në 5 vite nuk mund ta nxjerr nga burgu sikur të vras veten.

Rasti i dytë është ai i një qytetari, çështja e të cilit ka përfunduar në Gjykatën e Lartë. Ndonëse ka paguar lekët, qytetari nuk po merr vendimin e pritur.

Në këtë rast janë implikuar pronari i një lokali bashkë me një regjistrues hipoteke në Lezhë. Biseda për këtë çështje është zhvilluar në një lokal pranë Prokurorisë së Tiranës.

Qytetari: Si është puna e lekëve o Çesk?

Çesku: Për cilat lekë? Për këto që të kam marrë unë? Do të t’i jap unë mor burrë brenda 10 ditëve, mos e vrit mendjen.

Qytetari: Kur do të mi japësh?

Çesku: Brenda 10 ditëve.

Qytetari: Edhe ky këshilltari i këtij gjyqtarit, ky e kishte si shok. Ai që ishte komshi aty. I tha, merr interesohu njëherë. Ky kishte shkuar dhe ai i kishte thënë, mos hyr aty se aty ka hyrë një i fortë.

Çesku: Ëhë…

Qytetari: Po tani ia dhe lekët Lekë Gegës, thuaji që … paguan 800 euro muaj për muaj…

Çesku: Kam folur një ditë me të në telefon.

Qytetari: 9 herë 8 bëjnë 72. 7200. Ka shkuar 27 mijë e 200.

Çesku: Kam folur në telefon.

Qytetari: Unë dua t’i thuash ti, se unë i kam dhënë lekët dhe s’e kap dot Lekën. Ose thuaji kur e ke të sigurtë ti që i mbaron puna atij.

Çesku: S’ka dy ditë që fola në telefon. I thash, e kapa unë punën tënde. A ke ndonjë gjë në terezi me to? Tha, para dy ditësh kam qenë me të. Është mbyllur çdo gjë me të, tha. Po ia bëj prap një telefonatë, mor burrë.

Qytetari: Se iu kishte thënë edhe ky këshilltari, që ai ka mik shumë të fortë, mos i hyni kësaj pune.

Çesku: A e takojmë Lekën më mirë dhe flasim me të?

Qytetari: Ti Çesk ke qenë vetë mor vëlla kur t’i kam dhënë lekët që pagove ti.

Çesku: Aty kam qenë.

Qytetari: Shkon 30 mijë ajo tani. Ai nëqoftëse ia ka dhënë, se llafet janë të mira, është mbyllur kjo punë. Nëqoftëse nuk i ka gjyqtari, i ka Leka.

Çesku: Tashti, ose nesër ose pasnesër shkojmë e takojmë.

Më vonë qytetari zhvillon një bisedë me Lekë Gegën, ish-drejtues i ZRPP-së në Lezhë.

Qytetari: Ka shkuar i ka thënë avokatit që unë këtë emër nuk e kam dëgjuar. Po për kokë të dy fëmijëve!

Leka: Për ty?

Qytetari: Po.

Leka: Tani do ta kap unë gjyqtarin.

Qytetari: Unë nuk kam qejf, llafet i bëmë që më datë 7 janar… Dakord? 1 vit e ca ditë kanë kaluar. A e prishim këtë punë, unë marr lekët e ngelemi miq? Këtë qejf kam unë.

Leka: Të jemi realistë, më datë 15 mars ke lekët. Atë zotërinë e kam takuar disa herë rastësisht.

Qytetari: Thuaji, a ka thënë që unë s’e kam dëgjuar akoma këtë emër?

Leka: A e di si flet gjyqtari? A e di në çfarë situate është gjyqtari?

Qytetari: More, a e beson që unë kam futur avokatin dhe avokati i ka thënë për paratë. Ky i ka thënë, unë këtë emër s’e kam dëgjuar akoma. Ne këtë dosje do ta shofim, nëse ka mundësi do ta mbyllim këtu në Gjykatë të Lartë, pa shkuar në Apel. Unë kam hall, u bë një vit… 10 mijë euro…

Leka: Tani, a do të ta them unë? Unë bëra gabim që i hyra kësaj pune. Jam penduar për mënyrën se si hyra, sepse këta ma bënë shumë të kryer. Ndërkohë, unë shkova e takova…

Qytetari: E di unë që ti ke ecur pas kësaj pune, se ma ka thënë Pëllumbi 10 herë.

Leka: I dhashë lekët dhe i thash që ke edhe lekë të tjera. Kam një jetë të tërë që kam të bëjë me ta. Para nja 10 – 15 vjetëve.

Vazhdon në puntatat e tjera të emisionit “Fiks Fare”, në Top Channel

Top Channel