Irak, goditet “banka” e ISIS-it. Paratë, për të paguar xhihadistët

12/01/2016 00:00

Ka qenë një sulm i çuditshëm, por mjaft i efektshëm ai i ndërmarrë së fundi nga forcat amerikane në Mosul.

Këtë radhë, shënjestra e avionëve të Uashingtonit nuk kanë qenë, si përherë, pozicionet e militantëve të Shtetit Islamik, por një ndërtesë e mbushur me parà të përdorura për të paguar luftëtarët e ISIS-it.

Pesë ishin viktimat e bombardimeve, miliona kartëmonedhat e shkatërruara, i thanë gjigantit televiziv amerikan zyrtarë të mbrojtjes, që preferuan të ruajnë anonimatin. Operacioni u organizua pas një pune të kujdesshme të shërbimeve të inteligjencës për identifikimin e godinës në fjalë, ku lëvizja xhihadiste kishte grumbulluar shuma të mëdha parash për të paguar njerëzit e saj.

Situata ishte mjaft delikate, pasi ndërtesa ndodhet në një zonë të banuar të qytetit dhe përpara ndërhyrjes nga ajri, komandës ushtarake i është dashur të përllogarisë me kujdes rreziqet për popullatën.

Zyrtarët nuk tregojnë sesi e mësoi Uashingtoni ekzistencën e një godine të tillë. Përpara mësymjes, ndërtesa ishte mbajtur nën mbikëqyrje për ditë të tëra. Personeli i ISIS-it, thotë CNN, punonte aty gjatë natës, ndërsa ditën kishte shumë civilë rreth e rrotull.

Për këtë arsye u vendos që bombardimi të kryhej në orët e para të mëngjesit të së dielës, por lajmi nuk u dha menjëherë. Javët e fundit, Pentagoni i ka rishikuar rregullat e rrepta të ndjekura deri më tani, me qëllim shmangien e humbjes së jetëve të civilëve. Në të kaluarën, kjo ka qenë arsyeja përse avionët amerikanë e evitonin goditjen e autoçisternave, që transportonin naftë drejt shteteve fqinje.

Një pjesë e tyre menaxhoheshin nga Shteti Islamik, por kishte dhe të tjera të kontrolluara nga firma që nuk kanë lidhje me xhihadistët. Megjithatë, për të shtuar presionin mbi ISIS-in, tani kanë vendosur të ndryshojnë kurs e të shënjestrojnë autokolonat, sidomos në verilindje të Sirisë, ku falë mbështetjes së koalicionit, kurdët kanë arritur të zënë pozicione të reja.

Top Channel