Korea e Veriut, testi bërthamor dhe plani “për të fshirë Amerikën”

12/01/2016 10:25

Autoritetet në Korenë e Veriut kanë deklaruar këtë të martë se testi i saj bërthamor nuk kishte si qëllim provokimin apo kërcënimin e dikujt. Megjithatë, Peniani ka lënë të kuptohet se synimi i tij është arritja e një sistemi raketor në gjendje të zhdukë të gjithë Shtetet e Bashkuara.

Në një lajm të gjatë, agjencia shtetërore e lajmeve KCNA nënvizoi se testi i javës së kaluar i Veriut ishte një bombë hidrogjeni e fuqishme, por në miniaturë, që shënon “një fazë të re” në përpjekjet e vendit për t’u bërë një zotërues i besueshëm arsenali bërthamor.

Ekspertët e fushës e kanë hedhur poshtë këtë deklaratë, duke thënë se fuqia e testit ka qenë shumë më posht kapaciteteve për një pajisje tërësisht termo-bërthamore dhe ngjante më tepër me një shpërthim të moderuar që e ka testuar tre herë në të kaluarën.

“Testi nuk synonte as të kërcënonte askënd e as të provokonte dikë për një qëllim të caktuar”, shkruan KCNA, që insiston se fokusi i testit ishte sigurimi i një “garancie të sigurtë” për imunitetin e Veriut nga forcat armiqësore.

Në vendin e parë të forcave në fjalë janë pa dyshim Shtetet e Bashkuara, vijon organi informativ shtetëror, që ofron edhe një vizion apokaliptik se si Peniani do t’i përgjigjej një agresioni amerikan.

“Shkencëtarët koreano-veriorë dhe teknikët janë në gjendje të shpërthejnë bomba hidrogjeni prej qindra kilotonë dhe megatonë, në gjendje të zhdukin të gjithë territorin e Shteteve të Bashkuara një herë e përgjithmonë”, vijon shkrimi i KCNA.

Ndërkohë, ekspertë të jashtëm kanë deklaruar se shpërthimi i së mërkurës së kaluar ishte rreth 6 kilotonë, në një kohë kur një bombë normale me hidrogjen duhet të jetë të paktën 100 herë më e fuqishme.

Top Channel