Policia e Shtetit intensifikon kontrollet; 33 të arrestuar në 24 orët e fundit

12/01/2016 10:55

Policia e Shtetit ka vijuar intensifikimin e masave për rritjen e parametrave të sigurisë në vend. Në këtë kuadër janë ushtruar kontrolle për persona në kërkim, persona me precedentë penalë dhe me armë pa leje, verifikime dhe ndjekje të konflikteve të dhunshme në familje, si dhe ndalim të shkelësve të Kodit Rrugor.

“Gjatë 24 orevë të fundit në të gjithë vendin janë kapur, arrestuar e ndaluar 33 persona për vepra të ndryshme penale, si dhe janë sekuestruar armë e drogë”, thuhet në një njoftim për shtyp.

Konkretisht: janë kapur 8 persona që ishin të shpallur në kërkim; 8 persona për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor; 2 persona për dhunë në familje; 4 për trafikim të lëndëve narkotike; 2 për krime ekonomike; 4 në flagrancë duke vjedhur; 2 për armbajtie pa leje; 3 për vjedhje të energjisë elektrike; si dhe janë plotesuar 11 kërkesë-padi për urdhër mbrojtjeje.

“Policia Rrugore ka vendosur 1.798 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, janë pezulluar 29 leje drejtimi dhe bllokuar 12 automjete pa dokumentacion përkatës”, vijon njoftimi zyrtar. Gjithashtu, policia bën me dije se ka shoqëruar për verifikime të ndryshme 55 persona në të gjithë vendin.

“Edhe në ditët në vazhdim Policia e Shtetit do të vijojë punën me shërbime të përforcuara, duke ngritur pika kontrolli në akset rrugore, në lokalet e nates dhe ato të frekuentuara nga persona me precedentë penalë, për të parandaluar paligjshmërinë dhe për të krijuar një ambjent e shoqëri më të sigurt”, përfundon njoftimi.

Top Channel