Azilkërkuesit, nga 1 janari më shumë të kthyer; Gjermania i kthen në Austri

12/01/2016 11:30

Që nga 1 janari, numri ditor i azilkërkuesve të kthyer mbrapsht nga Gjermania në Austri është rritur në 200, nga 60 që ishte një muaj më parë.

Shumica nuk kanë dokumente të vlefshme, të tjerë thjesht nuk kanë aplikuar për qëndrim në Gjermani, por kërkojnë të lëvizin drejt vendeve të tjera, sidomos atyre skandinave. Këto të fundit po shtrëngojnë masat përballë fluksit të të ardhurve.

Javën që shkoi, Suedia, një prej destinacioneve më të preferuara nga shumë emigantë, u përpoq ta frenonte valën e tyre përmes vendosjes së kontrolleve mbi të gjithë udhëtarët nga Danimarka fqinje.

Ndërkohë, sulmet ndaj femrave natën e Vitit të Ri në qytetin e Këlnit e kanë vënë nën një presion të madh kancelaren gjermane Angela Merkel.

Sipas së përditshmes britanike “Daily Mail”, tani edhe vetë gruaja më e fuqishme e Europës, njëkohësisht mbështetësja kryesore e azilkërkuesve nga zonat e konfliktit, e pranon se kriza e refugjatëve nuk po menaxhohet dot siç duhet.

Europa, citohet të ketë thënë ajo, është e cënueshme sepse ne ende nuk e kemi gjendjen plotësisht nën kontroll. Pjesa më e madhe e emigrantëve të kthyer mbrapsht në Austri nuk janë sirianë; këtyre të fundit zakonisht kërkesa për azil u pranohet.

Të dhënat e ofruara nga policia austriake tregojnë se të kthyerit janë më së shumti afganë, marokenë e algjerianë. Nga 19 personat e ndaluar deri më tani për incidentet e Këlnit, 14 ishin pikërisht nga Maroku e Algjeria. 10 nga të dyshuarit janë azilkërkues, 9 nga të cilët kanë mbërritur në Gjermani pas shtatorit 2015.

Ngjarjet e fundit kanë nxitur një debat të ashpër mbi politikat gjermane të emigrimit, ndërsa shtynë ministrin e Brendshëm, Thomas de Maiziere të kërkojë miratimin e masave më të ashpra për ndëshkimin e autorëve të sulmeve të ndaj grave.

Top Channel