Qeveria rrit pagesën për studion “Blair”

12/01/2016 15:25

Qeveria i ka dhënë 150 mijë euro shtesë kompanisë së Cherie Blair, bashkëshortes së ish0kryeministrit britanik Tony Blair, si tarifë konsulence për ndërmjetësimin e konfliktit me kompaninë Rapiscan.

Përmes një vendimi të marrë në datën 28 dhjetor, por të papublikuar në faqen zyrtare, Këshilli i Ministrave e ka rritur pagesën e ndërmjetësimit për kompaninë “Omnia Strategy” nga 495 mijë euro që ishte në 645 mijë euro.

Sapo erdhi në pushtet, qeveria e majtë u zotua se do të anulonte koncesionin e skanimit në dogana, i cili ishte sulmuar edhe nga bizneset si i padrejtë, pasi vendoste kosto të papërballueshme mbi ta.

Përballë mosmarrëveshjeve me qeverinë,  Rapiscan e hodhi Shqipërinë në gjyq në gusht 2014, duke kërkuar 359 milionë dollarë, përmes një padie të ngritur në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë në Vjenë.

Qeveria kontraktoi menjëherë kompaninë e zonjës Blair për të përgatitur çështjen dhe mbrojtur Shqipërinë në Arbitrazh. Si tarifë për këtë shërbim, përmes një vendimi të posaçëm në mars të vitit të kaluar, qeveria akordoi 495 mijë euro për Omnia. Por gjatë përgatitjes së gjyqit studioja e zonjës Blair ndryshoi qëndrim dhe e këshilloi qeverinë shqiptare që të mos shkonte në Arbitrazh, por ta zgjidhte çështjen me mirëkuptim. Si rrjedhoje, nën këshillën e studios së zonjës Blair, qeveria e rinegocioi marrëveshjen e konccesionit, sipas saj duke lehtësuar kostot mbi biznesin dhe buxhetin edhe pse opozita pretendon të kundërtën. 

Por edhe pse nuk shkoi në arbitrazh, Omnia ka përfituar pagesë shtesë nga paratë e buxhetit. Më konkretisht, përmes vendimit në ditët e fundit të vitit të kaluar, qeveria e rrit pagesën për kompanine e zonjës Blair nga 495 në 645 mijë euro duke shtuar kështu 150 mijë euro të tjera që do të paguhen përmes Ministrisë së Financave.

Top Channel