Ura e para 300 viteve ende në këmbë, atë të 2008-ës e mori lumi

12/01/2016 15:45

Ura e Kamarës është 20 km në verilindje të Elbasanit. Ajo është ndërtuar nga turqit rreth viteve 1715.  Për më shumë se 300 vjet ajo u ka rezistuar ujërave të rrëmbyer të Lumit Shkumbin, edhe pse kurrë nuk është vënë dorë për forcimin e saj.

Prof. Valter Shtylla në studimin e tij shpjegon strukturën ndërtuese të kësaj ure. Në këmbët e saj janë të vendosura disa dritare shkarkuese, të cilat mbrojnë këmbët e urës duke shkarkuar ujin në rast të prurjeve të mëdha. Pjesa ballore e saj është e ndërtuar në formë lundre e quajtur ujëthyese për të zbutur forcën goditëse të lumit, ndërsa pjesa e pasme është cilësuar si ujë shuarse që bën shpërndarjen e ujit pasi kalon nga ura.

Në atë kohë ura shërbente për të komunikuar mes tyre qendrat tregtare, siç ka qenë Elbasani i asaj kohe, ndërsa sot ende përdoret nga banorët e zonës.

Ndërsa një gjysmëurë është ndërtuar në vitin 2008. Në 7 vitet e saj të jetës ajo u shërbeu 3 mijë banorëve të fshatit Gryksh i Madh dhe disa fshatrave të tjerë të Bashkisë së Peqinit. Edhe pse e ndërtuar me këmbë të mëdha betoni dhe me një strukturë të përforcuar hekuri ajo u shemb katër ditë më parë nga prurjet e lumit.

Por ura e Grykshit nuk është e vetmja urë e shembur mbi Shkumbin këtë vit. Të njëjtin fat pati edhe ura e Broshkës e ndërtuar në vitin 1999, apo një sërë urash të tjera të ndërtuara mbi përrenj.

Shkumbini këtë vit nuk kurseu as aksin kombëtar Elbasan-Librazhd, i ndërtuar në vitin 1999. Në Xibrrakë rruga thuajse është përgjysmuar dhe sipas specialistëve pjesa e mbetuar është ajo që mbahet poshtë nga rruga ekzistuese e ndërtuar në vitet ’30.

Më herët, një tjetër urë në Elbasan u shemb nga furia jo shumë e fortë e një përroi. Kjo ndodhi sepse këmbët e saj ishin vetëm disa centimetra thellësi, nga 2.5 metra që parashikohej në projekt.

Kjo është arsyeja se përse urat e inxhinierëve modernë janë të një cilësie shumë më të dobët sesa ato të “ustallarëve osmanë” të para tre shekujve.

Top Channel