Maqedoni, një parti shqiptare u ka ofruar para’ të arrestuarve të Grupit të Kumanovës

12/01/2016 16:20

Gazeta e përditshme “Lajm” raporton se një subjekt politik në Maqedoni, u ka ofruar para’ disa pjesëtarëve të arrestuar të Grupit të Kumanovës, me qëllim që ata të japin dëshmi të rreme lidhur me prapavijën e ngjarjeve të Kumanovës dhe të fajësojnë pjesëtarët e vrarë të këtij grupi, si fajtorë kryesorë dhe si bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete.

Sipas kësaj gazete, para zgjedhjeve të parashikuara për më 24 prill, ky subjekt politik do të heqë nga vetja përgjegjësinë për tradhtinë që kanë bërë krerët e saj ndaj pjesëtarëve të grupit të Kumanovës më 9 dhe 10 maj.
 
“Bëhet fjalë për një subjekt i cili shitet si subjekt patriotik shqiptar dhe si subjekt që punon për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në BE, por që në realitet punon për interesat maqedonase dhe për mbetjen e Maqedonisë sa më gjatë jashtë strukturave euroatlantike”, thonë burime anonime diplomatike.
 
Njëkohësisht, kjo gazetë pohon se këto informata i kanë konfirmuar edhe disa familjarë të pjesëtarëve të arrestuar të Grupit të Kumanovës, të cilët së shpejti do flasin edhe publikisht për presionin që është duke ushtruar kjo parti mbi të afërmit e tyre që janë në burg.

Top Channel