Kosovë, Mustafa fajëson krizën politike për mungesën e investimeve të huaja

12/01/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i shoqëruar nga disa ministra, ka takuar përfaqësues të bizneseve të vogla, me të cilët kanë diskutuar planin e qeverisë për zhvillimin e sektorit privat.

Mustafa tha se, edhe pse trendi i investimeve të huaja ka shënuar rritje në vitin 2015, situata politike nuk është e favorshme për investimet e drejtpërdrejta.

“Natyrisht që situata politike në të cilën ndodhemi nuk është shumë e favorshme për tërheqjen e investimeve të huaja. Mirëpo duhet t’u bëjmë apel edhe këtu, të gjithëve, që ne të japim një pasqyrë më të mirë dhe të ofrojmë siguri për investimet e huaja të drejtpërdrejta, në mënyrë që ato të vijnë, sepse nga të tilla investime varet edhe realizimi i objektivave tona sa i përket uljes së varfërisë, rritjes së punësimit dhe mirëqenies sociale”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Duke folur për kompletimin e bordeve të ndërmarrjeve publike, kryeministri kosovar ka justifikuar emërimet politike, që kanë bërë partnerët e koalicionit qeveritar.

“Kemi pasur kritika nga shoqëria civile, kryesisht për politizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Mund t’u them se nuk ka qenë qëllimi ynë që t’i politizojmë, mirëpo në Kosovë nuk ke asgjë jopolitike, kudo të shkosh dikush do të gjendet me lidhje të tilla. Edhe në shoqërinë civile në qoftë se është dikush, prapë i takon i një rryme apo një përkrahjeje të caktuar politike”, tha Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Ministrat e sektorit të ekonomisë kanë paraqitur para përfaqësuesve të bizneseve të vogla, mundësitë që ka qeveria për t’i stimuluar ato gjatë vitit 2016.

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi tha se gjatë këtij viti, kur pritet të zbatohet Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, rreth 2.500 produkte të ndryshme bujqësore kosovare mund të fillojnë të eksportohen, ndërsa premtoi ndihmë për promovimin e tyre.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se qeveria, këtë vit do të mbështesë krijimin e bizneseve të reja dhe do të propozojë disa ligje për të lehtësuar edhe më shumë klimën e të bërit biznes në Kosovë.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se, një nga kushtet thelbësore që do të zgjidhet përgjithmonë për bizneset private në Kosovë është sektori i energjisë, pasi – sipas tij, – deri më tani çdo biznes ka shpenzuar mesatarisht 6 mijë euro për gjeneratorë.

Top Channel