Kosovë-Shqipëri, dy vite nga mbledhja e parë e përbashkët, ja përfitimet

12/01/2016 00:00

Dy vite pas mbledhjes së parë të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Prizren, përfaqësues të dy qeverive vlerësojnë rezultatet e marrëveshjeve dhe avancimin që kanë nxitur ato, në marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi ka thënë përmes një përgjigjeje elektronike për Top Channel se, në kuadër të partneritetit strategjik, Kosova dhe Shqipëria kanë bërë një progres shumë të madh pas dy mbledhjeve të përbashkëta të të dy qeverive.

Sipas Abrashit, prej vendimeve të marra në të dy mbledhjet, deri tani janë realizuar mbi 90 për qind e tyre. Si rezultat i marrëveshjeve në fushën e ekonomisë, Abrashi tha se, gjatë vitit 2015 ka pasur një rritje prej rreth 20 milionë eurosh të eksporteve dhe importeve, kundrejt vitit 2014.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi tha për Top Channel se, marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kanë krijuar axhenda të përbashkëta planifikimi të qeverive në Tiranë dhe Prishtinë.

“E përkthyer kjo në shifra, unë do të thoja se, vetëm gjatë viteve 2014 e 2015 kemi një rritje të shkëmbimeve tregtare ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, në masën prej rreth 40 për qind. Natyrisht, edhe më përpara ka pasur shkëmbime midis dy shteteve tona, por ajo që të bie në sy është se, këto shkëmbime kanë qenë sporadike në të kaluarën, ndërsa tani janë institucionalizuar”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Minxhozi ka përmendur arritjet në disa fusha të bashkëpunimit, por si projektin më të madh të arritur ka vlerësuar autostradën energjetike.

“Autostrada energjetike është arritja më e madhe, do të thoja, gjatë vitit 2015. Kosova sapo ka përfunduar projektin e saj deri në kufi, në Vermicë. Edhe Shqipëria është në përfundim të autostradës së saj dhe në muajin maj, pritet që edhe ajo të përfundojë dhe të vijë drejt kufirit. Është një investim prej 70 milionë eurosh në të dy krahët e kufirit, i cili do të japë efekte shumë pozitive”, tha Qemal Minxhozi, ambasador i Shqipërisë në Kosovë.

Qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, deri tani kanë mbajtur dy mbledhje të përbashkëta, njërën më 11 janar 2014, në Prizren, dhe tjetrën më 23 mars 2015, në Tiranë. Ende nuk ka ndonjë planifikim deri më tani, nëse kabinetet e të dy qeverive do të vazhdojnë traditën e nisur për të mbajtur mbledhjen e tretë të përbashkët.

Top Channel