Garë e re për stadiumin, Qeveria lehtëson kushtet për biznesin në “Qemal Stafa”

12/01/2016 00:00

Qeveria shqiptare i ka hapur rrugën tashmë edhe ligjërisht me më pak kufizime, garës së re për projektet e ndërtimit të stadiumit kombëtarë “Qemal Stafa”.

Nëpërmjet ndryshimeve në vendimin e Këshillit të Ministrave të mëparshëm, për shoqërinë aksionere të qeverisë me Federatën Shqiptare të Futbollit, grupet e interesit do të kenë më tepër avantazhe dhe mund të jenë më tepër të interesuara rreth investimit në këtë projekt madhor.

Shfuqizimi i kushtit për ndryshimin e destinacionit, i jep mundësinë ofertuesëve që të marrin pjesë edhe në sektorin josportiv të këtij propjekti. Modernizimi i stadiumit kombëtarë “Qemal Stafa” do të ketë një destinacion të dyfisht, atë sportiv dhe jo sportiv. Pjesa qëndrore e projektit dhe ndërtimit do të ketë destinacion sportiv, publik, të pandryshueshëm, në përputhje me parametrat e Rregullores së Infrastrukturës së Stadiumeve të UEFA-s, ndërkohë që pjesa josportive janë hapsirat e biznesit që do të përmbajë ky stadium.

Projekti i vetëm i miratuar deri në këto momente, vjen nga një kompania italiane, e cila merr përsipër nëpërmjet koncensionit ndërtimin e stadiumit, por për këtë kërkon një garanci financiare, shtetërore, një kusht që rrezon këtë ofertë, pasi qeveria nuk pranon të japë asnjë garanci të tillë. Si rrjedhojë po mendohet sigurimi i fondeve në mënyra alternative, për ndërtimin e stadiumit të ri dhe një mënyrë mund të jetë shitja e ambienteve të biznesit përpara fillimit të ndërtimit të projektit.

Në marrëveshjen fillestare të shoqatës “Kuq e Zi” që administron stadiumin, me aksionerë 75% FSHF dhe 25% Qeverinë Shqiptare, ishte parashikuar se të dyja palët bashkë do të paguanin rreth 10 mln euro në ndihmë të projektit për stadiumin e ri, ndërkohë që pak ditë më parë, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, vetëm Federata Shqiptare e Futbollit miratoi një fond prej 10 mln euro për këtë projekt.

Shumë shpejtë do të fillojë dhe procedura e tenderit të ri për ofertat e reja. Në bazë të këshillimeve të UEFA-s dhe studimeve të fizibilitetit stadiumi i ri kombëtarë do të ketë një kapacitet rreth 23 mijë vendësh, ndërkohë që projekti për ndërtimin e tij shkon rreth 60 milionë euro.

Top Channel