Sulmi në Stamboll, kamikazi me origjinë siriane, i lindur në Arabinë Saudite

12/01/2016 00:00

Pas shpërthimit vdekjeprurës në lagjen historike “Sulltanahmet” të Stambollit fshihet ISIS. Autoritetet turke thanë se, të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur, pasi një kamikaz i lidhur me grupin ekstremist u vetëhodh në erë.

Zyrtarët turq kanë bërë të ditur se ai është identifikuar si Nabil Fadli, 28 vjeç, i cili kishte hyrë në Stamboll nga Siria, enkas për të kryer misionin e ngarkuar nga ISIS. Origjina e Fadli ishte nga Siria, ndërsa ishte lindur në Arabinë Saudite.

Të gjithë viktimat ishin turistë, 9 prej tyre gjermanë, si dhe një peruan. Ndërkohë që nga të plagosurit, 12 ishin gjermanë, një turk, një tjetër nga Peruja, si dhe një norvegjez.

Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu telefonoi kancelaren gjermane, Angela Merkel, për t’i shprehur ngushëllimet për shtetasit që humbën jetën tragjikisht në vend. Më herët, në një deklaratë për shtyp, Presidenti Recep Tayyip Erdogan e dënoi me forcë aktin terrorist të Stambollit, duke thënë se kjo ngjarje tregoi edhe një herë, sesa e nevojshme është të ruhet solidariteti përballë këtyre akteve çnjerëzore.

Lagjja “Sulltanahmet” është në zonën qendrore të Stambollit, aty ku ndodhet edhe “Xhamia Blu”. Zona tashmë është e rrethuar nga forcat e sigurisë dhe ambulancat, si pasojë e shpërthimit. Kohët e fundit, Turqia është përballur me kërcënime të panumërta të sigurisë. Grupi xhihadist i ISIS është përgjegjës edhe për tri shpërthimet e vitit të shkuar, përfshirë këtu sulmin e Ankarasë, ku u vranë më shumë se 100 njerëz. Përveç këtyre episodeve, në vend është përshkallëzuar edhe dhuna mes forcave turke dhe militantëve kurdë të PKK-së, pasi shkeljes së armëpushimit mes tyre.

Analistët mendojnë se, forcat e sigurisë duhet të jenë më të përgatitura për t’u paraprirë sulmeve të terroristëve. Turqia kufizohet me Sirinë dhe ka pritur më shumë se dy milionë refugjatë në valën e eksodit më të madh që pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe kamikazi, që ishte autor i sulmit të së martës, mendohet se ka hyrë në rrugët ku depërtonin azilantët sirianë.

Top Channel