Man. United, 40 milionë euro për 17-vjeçarin e Milanit

12/01/2016 00:00

Vitet e fundit, drejtuesit e Milanit jo vetëm që nuk kanë arritur të afrojnë lojtarë cilësorë në ekip, por çdo vit kanë larguar lojtarët më të mirë të tyre.

Për këtë sezon u fol shumë se do të ishte ndryshe nga ata të viteve të fundit dhe ekipi do të ishte konkurrues, por kur ka përfunduar faza e parë e Serie A, sërish kuqezinjtë gjenden në një pozitë jo shumë ndryshe nga sezoni i kaluar.

Në fillim të këtij kampionati pati disa afrime, ku më cilësori dukej ai i Bacca-s nga Sevilla, por edhe ai nuk ka arritur të lërë gjurmë deri në këtë fazë.

Një prej elementëve më cilësore në këtë sezon dhe me një të ardhme të sigurt është portieri, i cili sapo i ka mbushur 17 vjeç, Donnarumma.

Nëse ai do të qëndrojë te Milani, kuqezinjtë e kanë siguruar portër për vite të tëra. Por së fundmi, mediat angleze kanë bërë të ditur se Manchester është i gatshëm të ofrojë 40 milionë euro për gjigandin e portës kuqezi. Por pas këtij lajmi, drejtuesit e Milanit janë shprehur se deri tani nuk ka pasur asnjë ofertë zyrtare në klubin e tyre për Donnarumma.

Por si do të veprojnë drejtuesit e Milanit nëse një ofertë e tillë do të mbërrijë në klubin e tyre? Duke parë se çfarë kanë bërë vitet e fundit, është e vështirë që 17-vjeçari të jetë edhe sezonin e ardhshëm në radhët e tyre.  

Top Channel