Investigimi i “Fiks Fare”: Pasuritë e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Korçë

12/01/2016 00:00

Emisioni investigativ “Fiks Fare”, mbrëmjen e së martës ka udhëtuar në qytetin e Korçës, ku në vijimin e denoncimeve lidhur sistemin e drejtësisë, ka sjellë për shikuesit pronat disa miliona euro që janë në pronësi të gjyqtarëve apo prokurorëve.

Ndërtesa e parë është një lokal superluksoz, i vendosur në shëtitoren “Republika” të qytetit të Korçës, i cili siç thuhet dhe nga vetë banorët, por edhe punonjësit, se është në pronësi të Kryetares së Gjykatës së Apelit Korçë, Entela Prifti.

Në Gjykatën e Apelit Korçë

Fiksi: Entela Prifti, kryetarja e gjykatës…

Polici: Po këtu është, por nuk ka ardhur.

Fiksi: Në çfarë ore vjen zakonisht ajo?

Polici: Po, kur ka gjyqe. Mundet të vijë tani, mundet të vijë pas gjysmë ore, orar të ri nuk di.

Në lokalin “Find Four”, bulevardi “Republika” në Korçë

Fiksi: Shumë e bukur kjo vila, e kujt është? Qenka e re.

Kamarierja: Është bar, restorant, piceri…

Fiksi: Ore gjithë kjo vilë, pronari kush është i godinës?

Kamarierja: Pronari i godinës është Petrit Tare, drejtori i ujësjellësit, e ka si godinë. (Bashkëshorti i Entela Priftit, kryetares së Gjykatës së Apelit, Korçë)

Fiksi: Është bërë gjithçka me dorë, e shikoj unë.

Kamarierja: Punimet e kësaj kanë zgjatur katër vjet e gjysmë.

Objekti i dytë, është një pikë karburanti në pronësi të Irma Ballit, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Korçë.

Një ditë më parë “Fiks Fare” solli fakte mbi mënyrën sesi funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri, i përfshirë në skema të rënda korrupsioni.

Rasti i parë ishte ai i një zonje nga Lezha, e cila është ankuar tek “Fiksi” për problemin e vëllait të saj. Sekseri i saj në këtë rast është avokati.

Emisioni “Fiks Fare” do të vazhdojë dhe në ditët në vijim të publikojë fakte lidhur me korrpusionin në radhët e sistemit gjyqësor në vend.

Top Channel