Rritet presioni për Van Gaal, United barazon me Newcastle

12/01/2016 00:00

Trajneri holandez i United, Van Gaal vazhdon të jetë nën presion për shkak të një tjetër barazimi në kampionat. Skuadra e tij nuk arriti të ruajë epërsinë prej dy golash në transfertën ndaj Newcastle duke marrë vetëm një barazim pas 90 minutash.

“Djajtë” e nisën mjaft mirë takimin duke shënuar që në minutën e 9 me kapitenin Rooney që ishte i saktë nga pika e bardhë. Në minutën e 38, United dyfishon epërsinë me Lingard.

Tre minuta para se të mbyllej pjesa e parë, Wijnaldum shënon për vendasit duke ngushtuar epërsinë në 1-2. Newcastle arriti të barazojë me sulmuesin serb, Mitrovic, që ishte i saktë nga penalltia në të 67-n.

Rreth 11 minuta nga fundi i ndeshjes, Rooney rikthen sërish epërsinë në 2-3, por në minutën e 90, Dummett trondit kampin e të kuqve duke barazuar në 3-3.

Në sfidën tjetër, Aston Villa arriti fitoren e parë që nga muaji gusht duke i dhënë fund 19 ndeshjeve pa fitore, pasi arriti të mposhtë në shtëpi Crystal Palacen.

Goli i Lescott në minutën e 58 mjaftoi që vendasit të arkëtonin tre pikë në luftën, që duket e humbur, për mbijetesë.

Ndërkohë, West Ham ka shënuar fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Bournemouth. Pavarësisht se vendasit shënuan të parët me Arter, Payet në të 67-n dhe Valencia, fillimisht në të 74-n dhe më pas të 84-n, përmbysën gjithçka për një tre pikësh të artë për skuadrën e Bilic.

Top Channel