Irani ndalon 10 marinarë amerikanë, pritet lirimi i tyre

13/01/2016 00:00

Dy anije të vogla të Marinës amerikane janë ndaluar nga autoritetet iraniane në ishullin Farsi në Gjirin Persik, saktësisht në ujërat që ndajnë Arabinë Saudite dhe Iranin.

Autoritetet amerikane humbën kontaktet me anijet në bordet e së cilës ishin 10 detarë, nëntë meshkuj dhe një femër, në kohën kur po udhëtonin në ujërat mes Kuvajtit dhe Bahreinit në Gjirin Persik.

Një zyrtar i mbrojtjes së Pentagonit deklaroi se humbja e kontakteve mund të ketë ndodhur për shkak të ndonjë defekti teknik, por supozoi se varkat ishin në ujërat territoriale iraniane kur u ndaluan.

Gjithsesi, Pentagoni bëri të qartë se ka marrë të gjitha garancitë nga Irani se detarët do të jenë të sigurtë dhe do të lejojnë të vazhdojnë udhëtimin e tyre. Sipas mediave amerikane, ata do të rifillojnë udhëtimin e tyre mëngjesin e së mërkurës, sipas kohës lokale të Gjirit.

Ishulli Farsi është një bazë detare e Gardës Revolucionare iraniane dhe kjo besohet të ketë qenë arsye se pse detarët amerikanë janë ndaluar.

Nëse mediat amerikane e përshkruajnë me terma më të butë ndalimin e detarëve të tyre, mediat iraniane, si agjencia “Fars” raporton se marinarët janë “arrestuar”.

Gjithsesi, incidenti ka vënë në lëvizje edhe Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin John Kerry që ka nxituar të telefonojë ministrin e Jashtëm iranian, Mohammed Javad Zarif.

Ky incident vjen vetëm pak kohë pasi SHBA-të akuzuan Iranin për veprime provokuese me raketë pranë anijeve amerikane që po kalonin nëpër ngushticën e Hormuzit.

Top Channel