Arrestohet bashkëshortja e aktivistit të njohur saudit

13/01/2016 00:00

Samar Badawi, bashkëshortja e aktivist të njohur saudit për të drejtat e njeriut Waleed abu al-Khair, është arrestuar.

Sipas raportimeve të para, besohet se ajo akuzohet se qëndron mbrapa një llogarie në “Twitter” prej nga bëhen postime për lirimin e bashkëshortit të saj.

“Amnesty International” e quajti arrestimin e Samar si shembullin e fundit të shkeljes së të drejtave të njeriut nga shteti saudit.

Abu al-Khair, që është themelues i grupit për monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite, është dënuar me 15 vite burg në vitin 2014 si armik i regjimit.

Samar është gjithashtu edhe motra e blogerit saudit Raif Badawi, që në vitin 2014 u dënua me 1000 rrahje me kamxhik dhe 10 vite burg për fyerje të islamit.

Besohet se Samar është arrestuar bashkë me vajzën e saj dyvjeçare dhe pas marrjes në pyetje në stacionin policor është shoqëruar në qeli. Ajo pritet të dalë para prokurorit gjatë ditës së mërkurë.

Top Channel