PD: Rama kap drejtësinë. Varianti “Manjani”, i pranueshëm

13/01/2016 11:15

Demokratët u përpoqën ta bëjnë sa më të dukshëm argumentin e tyre, përse kryeministri Edi Rama po përdor çështjen e reformës në drejtësi, për ta kapur atë politikisht dhe për ta kontrolluar.

Sipas opozitës, edhe në variantin përfundimtar qeveria nuk ka hequr dorë nga ky qëllim, sepse nuk ka reflektuar rekomandimet kryesore të “Venecias” për një drejtësi të pavarur nga politika. Sipas tyre, një nga mekanizmat kryesore është shumica, me të cilën zgjidhen insitucionet e reja të drejtësisë.

“Për të pamundësuar kryeministrin, qoftë kur e ka emrin Edi Rama, qoftë Lulzim Basha, që të kapë, të emërojë dhe të mbajë nën kontroll të gjithë sistemin e drejtësisë, skema duhet të çmontohet. Me 84 vota emërohen 8 institucione, që krijojnë një oktapod të vërtetë në kapjen e sistemit të drejtësisë”, tha Eduard Halimi.

“Është pikërisht skema me 8 institucione të reja, që duhet të popullohet me funksionarë të lartë të emëruar në mënyrë partiake. Pra janë plot 30 funksionarë të rinj, që përbëjnë kupolën e sistemit gjyqësor shqiptar, të prezantuar sipas kësaj reforme të njëanshme, që emërohen në mënyrë të njëanshme nga një mazhorancë që kontrollon votat”, tha Enkelejd Alibeaj.

Demokratët shpjeguan me detaje të 11 çështjet, ku ata ndahen me draftin përfundimtar që mbështetet nga qeveria. Duke nisur me Këshillin e Emërimeve, fuqia e madhe e të cilit ka mbetur e pandryshuar, e deri te komisioni, që bën vlerësimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo te ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryeministrit, i cili duhet të miratojë edhe vëzhguesit ndërkombëtare, kur reforma të nisë zbatimin.

“Drejtësi të pavarur në Shqipëri nuk do të ketë. Ajo do të jetë në këmbët e oktapodit Edi Rama”, tha më tej deputeti demokrat Halimi.

Por situata nuk është krejt e pashpresë. Në tryezë ndodhet edhe një variant i Ministrisë së Drejtësisë, për të cilin, që gjatë diskutimeve me ekspertët, demokratët nuk e kanë hedhur poshtë.

“Skema e prezantuar prej dy përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, kam thënë është një skemë që ofron 3 gjëra lufte: koorporativizmi, llogaridhënia e sistemit gjyqësor dhe depolitizimi i sistemit gjyqësor. Është një lëndë që ia vlen të diskutohet. Këtë kërkon edhe Venecia”.

Për herë të parë, demokratët nuk përmendën shumicën e dy të tretave, dhe u duk se lanë të hapur çdo mundësi, që sipas tyre eliminon mundësinë e kapjes së drejtësisë nga politika.

“Çdo variant në përputhje me Venecian, që cilëson këtë skemë si kapje, çdo variant që ndryshon këtë skemë na çon në zgjidhje optimale. Çdo draft që vjen nga çdo grup parlamentar, apo grup ekspertësh që ka si bazë rekomandimet e Venecias, që çmonton skemën e parë si oktapod të drejtësisë është e mirëpritur. Drafti final që duhet t’i shkojë komisionit duhet të respektojë pikë për pikë rekomandimet”.

Top Channel