Lirohen marinsat amerikanë, Irani: SHBA kërkuan falje për inkursionin

13/01/2016 00:00

Ndalimi i dy mjeteve lundruese të flotës së pestë amerikane, me 10 marinsa në bord, pranë ishullit të Farsit tingëlloi si provokim, nisur nga fakti që e parapriu me vetëm disa orë fjalimin e fundit të Barack Obamës mbi gjendjen e kombit.

Lajmi shkaktoi një zinxhir të menjëhershëm reagimesh: Shtëpia e Bardhë mobilizoi Departamentin e Shtetit; Sekretari John Kerry i telefonoi homologut iranian, Javad Zarif, e premtoi zgjidhje të shpejtë të ngërçit të krijuar.

“Marinsat do të lirohen”, ishte deklarata e tij dhe ashtu ndodhi vërtet. Kreu i Rojeve Revolucinare të Iranit, gjenerali Ali Fadavi, tha se Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar ndjesë për inkursionin detar dhe se, grupi i marinsave është lënë i lirë.

Dy anijet patrulluese, të armatosura me mitralozë, ishin në një mision stërvitor mes Kuvajtit e Bahreinit, vendi që strehon komandën e flotës së pestë, kur humbën kontaktet me radarët. Mendohet se ato kanë përfunduar gabimisht në ujërat iraniane: njëra pësoi defekt, tjetra qëndroi ta ndihmonte.

Në këtë moment kanë ndërhyrë pasdaranët iranianë, duke i ndaluar të dy mjetet. Agjencia iraniane e lajmeve “Fars” përdori tone të ashpra e foli për arrestimin e marinsave, mes të cilëve është edhe një femër, ndërsa media të tjera vendase hodhën hipotezën e një akti spiunazhi, arsye për të cilën janë sekuestruar edhe disa aparatura në bord sipas tyre.

Ndalimi i anijeve të Uashingtonit pason një tjetër episod polemizues, të konsumuar pak ditë më parë. Nga anijet e pasdaranëve u lëshuan disa raketa jo shumë larg aeroplanmbajtëses “Truman”, të dërguar në rajonin e Gjirit Persik si ndihmë për operacionet anti-ISIS.

Ekspertët mendojnë se, këto janë që të gjitha veprime të qëllimshme, të organizuara nga krahu radikal i regjimit, me qëllimin të sabotohet diaologu me SHBA-të e të nxitet reagimi kundërshtues i amerikanëve. Republikanët në Shtetet e Bashkuara, që asnjëherë nuk janë pajtuar me lëshimet e bëra Teheranit, nxituan ta përshkruajnë incidentin si provën e dështimit të politikës së jashtme të Barack Obamës.

Top Channel