ARRSH: Ja akset kombëtare më problematike

13/01/2016 00:00

Përmes buletinit të përditshëm, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka informuar mëngjesin e së mërkurës mbi situatën e përgjithshme dhe të detajuar të akseve kombëtare, disa prej të cilave që përballen me probleme të shkaktuara prej reshjeve të shiut, borës apo edhe rrëshqitjeve të dherave apo masiveve.

Specialistët e drejtorive të rajoneve të vendit kanë bërë të ditur pikërisht këtë situatë nëpër akset kombëtare:

Sa i përket rajonit verior; në Shkodër të gjitha akset janë nën mbikëqyrjen e kontraktorëve, të cilët po punojnë edhe për pastrimin e gurëve dhe materialeve të rëna në rrugë nga reshjet e shiut. Në Peshkopi, Pukë dhe Fushë Arrëz kanë nisur reshje bore, por deri më tani nuk paraqitet ndonjë problem në qarkullimin e automjeteve. Në aksin Kukës-Bushtricë mësohet të ketë një dëmtim të trupit të rrugës si pasojë e një rrëshqitjeje bazamenti, ndaj dhe qarkullimi kryhet me një kalim

Ndërkohë, për rajonin qendror; në Tiranë problematik paraqitet aksi Qafë Priskë-Shëngjergj, ku po qarkullohet vetëm me një korsi. Një dëmtim i një muri mbajtës është shfaqur në afërsi të qendrës tregtare “TEG”, në aksin Tiranë-Elbasan, ku janë marrë masat për vendosjen e shiritit sinjalizues, ndërkohë që gjendja po mbahet nën monitorim. Në Qarkun e Elbasanit po punohet nëpërmjet kontraktorëve për pastrimin e rrugëve nga dherat e gurët e rënë, ndërsa segmenti Banjë-Drizë raportohet të jetë i lirë.

Sa i përket jugut të vendit; nuk paraqitet asnjë problem në akset e Qarkut të Gjirokastrës. Në Korçë, aksi Boboshticë-Dardhë është i mbuluar nga bora në lartësinë prej 3-4 cm. Firma kontraktore ka nisur menjëherë punën për pastrimin e këtij aksi për qarkullimin e mjeteve. Situata në akset e tjera paraqitet normale për stinën, megjithatë kontraktorët janë në gatishmëri për të ndërhyrë pas çdo situate që do të mund të krijohet.

Top Channel