Rally Dakar, fiton Sainz; shënohet tjetër aksident

13/01/2016 11:30

Carlos Sainz është fituesi i etapës së nëntë të Rally Dakar të këtij viti. Piloti spanjoll e përshkoi këtë etapë të nisur në Belen e të përfunduar po në Belen me kohën 2 orë 35 minuta e 31 sekonda, duke lënë në vendin e dytë Van Loon me 10 sekonda më shumë, ndërkohë që në vendin e tretë u pozicionua një tjetër emër i botës së Rally, Mikko Hirvonen, me 17 sekonda më shumë se Sainz.

Kampioni në fuqi i Rally Dakar, Al-Attiyah, nuk shkoi më shumë se vendi i pestë në këtë etapë, ndërkohë që Peterhansel e mbylli atë në vendin e 7.

Në renditjen e përgjithshme është Sainz ai që merr kryesimin me 28 orë 39 minuta e 24 sekonda, i shkëputur me 7 minuta nga Peterhansel i vendit të dytë dhe 14 minuta nga Al-Attijah në të tretin.

Në kategorinë e motorëve, Toby Price duket se ka vendosur diktatin e tij. Austrialiani fitoi edhe etapën e 9 me kohën 3 orë 26 minuta e 58 sekonda, i ndjekur në vendin e dytë nga amerikani Brabec, ndërsa vendi i tretë i takoi francezit Antuan Meo.

Në renditjen e përgjithshme, Toby Price është i sigurt në kryesimin e tij, pasi është i shkëputur nga Svitko me 28 minuta e 59 sekonda, ndërkohë që Gonsalves tashmë e sheh veten në vendin e tretë, me mbi 34 minuta më shumë se australiani.
 
Etapa e nëntë e Rally Dakar shënoi edhe një aksident tjetër me bilanc 1 viktimë e 6 të plagosur. Sipas të dhënave të policisë, në aksident u përfshinë 2 kamionë e 4 makina. Ngjarja ndodhi në territorin bolivian, ku një pilot i Mitsubishit, të cilin duket se kishte zënë gjumi në timon, doli nga rruga për t’u përplasur me një kamion të tipit Mercedes. Viktima në momentin që ndodhi aksidenti ishte duke drejtuar një nga 3 makinat e tjera që u përfshinë në këtë ngjarje të rëndë.

Top Channel