Aksidentohen 5 automjete në Lushnje-Rrogozhinë; dy të lënduar lehtë

13/01/2016 00:00

Breshëri i rënë me intensitet të lartë në aksin Lushnje-Rrogozhinë duket se është bërë “shkaktar” i një aksidenti rrugor gjatë paradites së kësaj të mërkure, në të cilin janë përfshirë 5 automjete e për pasojë janë plagosur lehtë dy persona.

Nga raportimet mësohet se ky aks kombëtar ka qenë tejet i rrezikshëm për kalimin e automjeteve në një hark kohor prej rreth 60 minutash, për shkak se breshëri mbuloi të gjithë sipërfaqen e rrugës duke e zbardhur atë, si të kishte rënë dëborë.

Automjetet e përfshira në aksident kanë qenë duke udhëtuar njëri pas tjetrit dhe, me të filluar stuhia dhe breshëri në zonën e Konjatit, një furgon që gjendej në krye të vargut ka dalë nga rruga.

Sipas Policisë Rrugore, e gjendur menjëherë në vendngjarje, një automjet tip Benz tentoi ta parakalonte furgonin, por për shkak të stuhisë është përplasur me të, e në vijim edhe makinat që gjendeshin pas tij. Mësohet se njëri prej automjeteve të aksidentuara ka përfunduar jashtë rruge, në oborrin e një banese private, ndërsa të tjera kanë bllokuar përkohësisht qarkullimin në autostradë.

Dy të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin Rajonal të Lushnjes, gjendja e të cilëve paraqitet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që dëmet materiale nga ky aksident janë të shumta.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel