Planifikimi i territorit, PD: Rama, përgjegjës për shkatërrimin e Tiranës

13/01/2016 00:00

Pjesëmarrja dhe fjalimi i kryeministrit Rama në prezantimin e planifikimeve të territorit për 26 bashki të vendit gjatë paradites së të mërkurës, nuk ka kaluar pa u komentuar nga selia blu, e cila përmes një deklarate për shtyp e akuzon kreun e qeverisë si përgjegjës për shkatërrimin – siç thonë – të Tiranës përgjatë 11 viteve që drejtoi bashkinë e kryeqytetit.

“Shkatërruesi i Tiranës për 11 vite, ai që mbolli pallate duke ndjekur ‘20 përqindëshin’ e duke nëpërkëmbur qytetarin, ai që kur Tirana më në fund u bë me plan zhvillimi e bllokoi atë, ai që u mohoi qytetarëve mijëra vende pune, duke ndalur investimet strategjike dhe historike në kryeqytet, Edi Rama ka kurajo dhe fytyrë sot të dalë e të mbajë leksione për territorin”, thuhet në deklaratë.

Duke risjellë në vëmendje pasurinë e kryeministrit, që sipas institucioneve ndërkombëtare shkon deri në 200 milionë euro, PD-ja ka numëruar ato që i ka konsideruar si krime në territor dhe ndaj mjedisit, për të cilat nuk ka mbajtur kurrë përgjegjësi, madje duke e akuzuar edhe për korruptim të gjykatësve dhe prokurorëve.

“Njeriu i ryshfeteve të pallateve, që lejoi ndërtuesin e tij personal të kafshojë Parkun e Tiranës, që lejon Kokëdhimën të zaptojë bregdetin, që i jep Besos së tij nëntokën e Parkut Rinia, që bekon ndërtimin pa leje të zonës muzeale të Tiranës nga Xhillari i tij, që ka planifikuar tenderin korruptiv për tjetërsimin e stadiumit kombëtar me klientët e tij, që ka shtrirë tentakulat e interesave të tij personale e financiare në çdo tokë e truall me anë të firmave dhe studiove të tij, doli sot e propagandoi për zhvillimin e territorit”, vijonte më tej deklarata e PD.

Sipas Partisë Demokratike, teksa del e predikon të kundërtën e saj që ka bërë vet që ditën e parë në pushtet, Edi Rama, me shfaqjen e radhës po fsheh një pazar tjetër të madh, me të ashtuquajturin plan kombëtar të zhvillimit të territorit.

Top Channel