Abuzimi mjedisor në Gërmenj-Shelegur, shkon në prokurori kallëzimi i Dades

13/01/2016 14:35

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar për veprime të mëtejshme hetimore në Prokurorinë e Korçës, kallëzimin e deputetes së këtij qarku Arta Dade në lidhje me abuzimin mjedisor në zonën pyjore Gërmenj-Shelegur.

Prokuroria e Përgjithshme pohon nëpërmjet zyrës së shtypit se delegimi i çështjes në Korçë është bërë për shkak të kompetencës territoriale, pasi dyshimet për kryerjen e kësaj vepre kanë ndodhur në këtë zonë.

Ndërkohë, Prokuroria e Korçës konfirmon se ka nisur verifikimet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe prerje të paligjshme të pyjeve.

Kërkesa e deputetes për procedim penal erdhi pas denoncimit në emisionin “Fiks Fare” për shkatërrimin e parkut në zonën e mbrojtur të Shelegurit.

E intervistuar nga “Fiks Fare”, zonja Dade akuzoi publikisht kompaninë që po shkatërron parkun dhe zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit që nuk ndërhyjnë.

Top Channel