Zgjidhja e problemit të ndotjes së lartë të ajrit vazhdon të jetë një sfidë serioze për qeverinë e Maqedonisë, ndonëse ditëve të fundit, kushtet klimatike kanë ndikuar në përmirësimin e situatës alarmante.

Kështu është shprehur ministri i Mjedisit, Nurhan Izairi, sipas të cilit qeveria ka përmbushur shumicën e kërkesave të shoqatave ambientaliste, që protestuan muajin e kaluar kundër ndotjes së ajrit.

“Përmirësimi ka ndodhur për shkak të kushteve klimatike, teksa ajri është pastruar në nivel shtetëror. Por, kjo nuk do të thotë se institucionet duhet të qëndrojnë duarkryq”, tha ministri Nurhan Izairi.

Në kuadër të masave për zgjidhjen e problemit, në planet e qeverisë është edhe gazifikimi, një proces i vështirë për t’u realizuar, por që parashikohet të ndikojë dukshëm në reduktimin e ndotjes.

Lidhur me ndotësin më të madh të ambientit në rajonin e Tetovës, kombinatin metalurgjik të “Jugohromit”, që e ka ndërprerë punën përkohësisht, ministri Izairi tha se, pa plotësuar standardet ekologjike kjo fabrikë nuk duhet të nisë prodhimin.

“Jugohromi duhet t’i respektojë ligjet dhe të vendosë filtra. Nëse e bën këtë, cila do të kishte qenë arsyeja që të vazhdojë më tutje me punën?”, u shpreh më tej ministri Nurhan Izairi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e shoqatave ambientaliste vlerësojnë se, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kundër ndotjes dhe kanë paralajmëruar bllokimin e rrugëve në shumë qytete pas 15 janarit.

Top Channel