“Fullani”, Prokuroria ende pa rekurs në Gjykatën e Lartë pas 21 ditësh

13/01/2016 00:00

Kanë kaluar 21 ditë nga marrja dhe zbardhja e vendimit për pafajësinë e ish-guvernatorit Fullani edhe në Gjykatën e Apelit, por Prokuroria nuk ka vendosur ende nëse do të bëjë apo jo rekurs në Gjykatën e Lartë, për të këmbëngulur te kërkesa e saj për të dënuar ish-kreun e Bankës së Shqipërisë.

Top Channel u interesua pranë Prokurorisë së Apelit të Tiranës, për të mësuar nëse kjo Prokurori ka depozituar apo jo një kërkesë në Gjykatën e Lartë, me anë të së cilës të kundërshtojë vendimin e Apelit, por burime jozyrtare pohuan se janë ende në pritje të vendimit të zbardhur të kësaj gjykate.

Top Channel u interesua edhe pranë Gjykatës së Apelit, nga ku rezultoi se vendimi është zbardhur në datën 23 dhjetor dhe brenda ditës është depozituar në Sekretari. Për rrjedhojë, TCH ka siguruar edhe vendimin e argumentuar, në të cilin radhiten shkaqet se, përse u la në fuqi vendimi i Shkallës së Parë për ish-guvenratorin Ardian Fullani, i dyshuar për shpërdorim detyre në dy episode.

Kanë mbetur edhe 9 ditë afat, për të parë nëse do ta vijojë apo jo, betejën e saj në Gjykatën e Lartë organi i akuzës, në një kohë që edhe në Apel, përfaqësuesit e Prokurorisë kërkuan shpalljen fajtor të Fullanit, si dhe dënimin e tij me 5 vite burgim.

Në vendimin e zbardhur, Gjykata e Apelit ripohon argumentet e Shkallës së Parë për pafajësinë e ish-guvernatorit. Episodi kryesor, që e vendosi nën hetim Fullanin ka lidhje me skandalin e vjedhjes së Departamentit të Thesarit, nga Ardian Bitraj e Mimoza Bruzia, të 713 milionë lekëve. Gjykata e Apelit shënoi rekord në shqyrtimin e çështjes “Fullani”, duke e çelur gjykimin dhe përfunduar atë vetëm brenda një seance.

Top Channel