Integrimi, Gjosha: Reforma në drejtësi kyçe; jo vetëm çështje numrash

13/01/2016 17:05

Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha priti këtë të mërkurë në një takim ambasadorin e Lituanisë, Alfonsas Eidintas. Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat që Shqipëria ka përpara në lidhje me procesin e integrimit.

Ministrja Gjosha vlerësoi se, mbështetja e vendeve anëtare në këtë “rrugë pa kthim të vendit” ka qenë dhe mbetet e madhe.

Ajo e informoi ambasadorin mbi ecurinë e punës për plotësimin e pesë prioriteteve, rekomandimet e Komisionit Europian në raportin e muajit tetor dhe masat që po ndërmerren për të realizuar këto rekomandime.

Theksi u vu tek reforma në drejtësi, të cilën ministrja Gjosha e ka cilësuar thelbësore për të çuar përpara procesin e integrimit.

“Ne besojmë se palët politike do të dinë të gjejnë konsensusin për këtë reformë kaq të rëndësishme, e cila së pari do t’u kthejë shqiptarëve besimin tek sistemi i drejtësisë. Reforma kërkon gjithëpërfshirje jo për çështje numrash, por si dëshmi e një vullneti politik konstruktiv, ku çdo palë jep kontributin e saj”, u shpreh Gjosha.

Ministrja theksoi se, të gjithë janë të vetëdijshëm që kjo reformë duhet të jetë e thellë, e mirëmenduar dhe të mundësojë që Shqipëria të bëjë një hap tjetër përpara me procesin e integrimit, duke kërkuar në vijim një rekomandim për hapjen e negociatave.

Nga ana e tij, ambasadori Eidintas vlerësoi progresin e Shqipërisë me reformat në kuadër të procesit e integrimit dhe shprehu mbështetjen e Lituanisë për ta parë sa më shpejt Shqipërinë pjesë të Bashkimit Europian.

Top Channel