Reforma në drejtësi, Lu dhe Vlahutin takim me Ramën

13/01/2016 00:00

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe përfaqësuesja e BE-së kanë vijuar edhe këtë të mërkurë përpjekjet e tyre diplomatike për realizimin e reformës në drejtësi.

Në orët e pasdites Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë vizituar selinë e kryeministrisë, ku kanë qëndruar për rreth 1 orë e 50 minuta kokë më kokë me kryeministrin Rama posaçërisht për këtë çështje.

Mësohet se qëllimi i dy diplomatëve ka qenë zhbllokimin i ngërçit të krijuar mes mazhorancës dhe opozitës mbi draftin e reformës.

Përpjekjeve të Lu dhe Vllahutin për të arritur konsensus do t’i bashkohet fillimjavën e ardhshme edhe Angelina Eichhorst, drejtore për Ballkanin perëndimor në Komisionin Europian, e cila do të vizitojë Tiranën.

Zonja Eichhorst, në një postim në rrjetin social Twitter ka deklaruar se, “kjo vizitë do t’i shërbejë stabilitetit, gjithëpërfshirjes dhe zbatimit të 5 prioriteteve”. 

Më herët gjatë muajit ambasadori Lu deklaroi se angazhimi i tij për reformën në drejtësi nuk është personal, por pjesë e axhendës së rekomanduar nga Shtëpia e Bardhë.

Ndërkohë, javën e kaluar ekspertët e mazhorancës e deklaruan të mbyllur draftin edhe pa opozitën, duke thënë se kishin miratuar vetëm një pjesë të rekomandimeve të tyre.

FOTO GALERI
1/1
Angelina Eichhorst

Top Channel