Francë, orteku përfshin grupin e nxënësve; 3 të vdekur

13/01/2016 00:00

Një ortek dëbore ka vërshuar në Alpet franceze duke përfshirë një grupsh nxënësish të një shkolle që po mbanin një festë në një pistë skish.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave vërshimi i masivit të dëborës i ka marrë jetën 3 personave, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur rëndë.

Viktimat mësohet se janë dy nxënës dhe një turist ukrainas. Ekipet e shpëtimit kur mbërritën në vendin e ngjarjes gjetën dy nxënës të tjerë në gjendje arresti kardiak dhe mësuesin e tyre pa ndjenja.

Grupi prej 10 nxënësish kishte qenë për ski në zonën alpine Les Deux, në një pistë që në momentin e ortekut ishte e mbyllur për publikun.

Ekipet e shpëtimit, të ndihmuara nga qentë dhe helikopterët, kanë arritur t’i gjejnë të gjithë, duke dërguar të plagosurit në spital dhe të mbijetuarit në një vend të sigurtë.

Ndërkohë, një dëshmitar tha për një stacion radiofonik lokal se orteku ka gjasa të jetë shkaktuar nga grupe skiatorësh të pranishëm në zonë.

Pista në fjalë ndodhet në një terren të akullt, në pjesën veriore dhe përballë shpatit të malit, raporton më tej stacioni radiofonik.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel