Bonnie Scott: Si e denoncova ngacmimin seksual të eprorit ndaj dy femrave

13/01/2016 00:00

Një skandal seksual i përmasave të mëdha ku ishin të përfshirë punonjës të Korpusit të Paqes në mbarë botën u denoncua në fundnëntorin e vitit 2015 nga rrjeti prestigjioz mediatik CBS.

Ishte një investigim disamujor që nxirrte në dritë ngacmimet dhe abuzimet seksuale të vullnetarëve, duke mos përjashtuar kësaj here as Shqipërinë.

Vullnetarja amerikane Bonnie Scott, e pranishme në vendin tonë që nga viti 2014, denoncoi eprorin e saj se kishte ngacmuar seksualisht dy femra shqiptare.

Në një interviste me Skype për CBS, Scott rrëfeu se si kishte mësuar për rastet flagrante nga një shqiptar, e se si më pas kishte denoncuar shefin tek zyra qendrore e Korpusit të Paqes. Me të marrë pretendimet e saj, vetë agjencia kishte kryer hetime të cilat pasuan me dorëheqjen e të akuzuarit dhe pushimin nga puna të Scott.

Sipas intervistës së vullnetares, theksohej se viktimat shqiptare nuk kishin marrë mbështetjen e duhur dhe rasti nuk ishte referuar kurrë në prokurori, ndërkohë që abuzuesit i ishte dhënë mundësia për dorëheqje, që sipas saj, nëse do të kishte abuzuar me femra amerikane, ai do të ishte ndjekur penalisht.

Bonnie Scott pretendoi se skandali u mbulua me vetëdije. Ajo nuk është e vetmja punonjëse e pushuar nga puna pas denoncimit të skandalit seksual. CBS përfshiu në investigim edhe disa vullnetare të tjera të cilat ndodhen në të njëjtën situatë me Bonnien.

Sipas investigimit të televizionit amerikan, janë rreth 7 mijë vullnetarë të Korpusit të Paqes në 65 vende të Botës dhe mesatarisht 1 në pesë prej tyre sulmohet seksualisht gjatë shërbimit. Gjysma e të sulmuarve apo dëshmitarëve të ngacmimit apo sulmit seksual, nuk e raportojnë atë.

Top Channel