Gjermani, plan për të hedhur në erë xhamitë; hetim celulës neonaziste

13/01/2016 21:55

Prokuroria Federale Gjermane ka akuzuar tre burra dhe një grua, anëtarë të ekstremit të djathtë, se kanë ngritur një grup për të kryer atentate kundër xhamive dhe qendrave të pritjes së emigrantëve në Gjermani.

Lajmin e bën të ditur “Der Spiegel” në edicionin e saj online. Sipas hetuesve, grupi i quajtur Shoqëria e Traditave të Vjetra ka lindur në internet dhe ka nxitur urrejtjen përmes chat-eve dhe rrjetit social Facebook.

Nga fillimi i muajit maj, grupi ka blerë në rrjet sasi të mëdha materialesh piro-teknike për të prodhuar eksploziv. Për të përforcuar efektin e bombave artizanale, ata synonin të përdornin edhe gozhda e objekte të tjera prehëse.

Sipas prokurorëve, në shënjestrën e grupit ishin predikues salafitë, xhami dhe qendra refugjatësh. Personat nën hetim janë: Andreas H. 57 vjeç, Markus W. 40, Denise G. 23 dhe Olaf O. 47 vjeç.

Procesi ndaj kësaj celule neonaziste pritet të mbahët në Gjykatën e Apelit të Mynihut, shton më tej “Der Spiegel.

Plani është zbuluar në një kohë kur fryma anti-emigrantë në Gjermani ka arritur kulmin, pas ngjarjeve të natës së ndërrimit të viteve në Këln, ku azilkërkues afrikanë e arabë dhunuan femrat që po festonin në qendër të qytetit.

Top Channel