Liverpool dhe Arsenal ndajnë pikët, përfiton Leicester

13/01/2016 00:00

Liverpool dhe Arsenal kanë ndarë në sfidën kryesore të javës së 21 të kampionatit anglez. Goli i Allen në minutën e fundit ka tronditur “topçinjtë” nga Londra të cilët ishin duke fituar me rezultat 2-3.

Serinë e golave e hapi Firmino, i cili u gjend më së miri në zonë në minutën e 10, por barazimi erdhi vetëm katër minuta më vonë me uellsianin Ramsey. Firmino bëhet sërish protagonsit, kësaj radhe në të 19-n, kur shënon një gol spektakolar nga jashtë zone. Por, miqtë e arrijnë të barazojnë sërish me francezin Giroud në të 25-n.

I njëjti lojtar i jep epërsinë Arsenalit në të 55-n, por Allen i mohon fitoren Wengerit kur nga brenda zonës arrin të çojë topin mbrapa shpinës së Petr Cech për të ngritur në këmbë tifozët dhe trajnerin Kloop.

City nuk e shfrytëzoi barazimin e Arsenalit për marrë kreun, pasi nuk arriti më shumë se një barazim pa gola në shtëpi me Evertonin. Pavarësisht rasteve të mira të Agueros, portieri amerikan Tim Howard ishte i jashtëzakonshëm.

Ndërkohë, Leicester ka marrë tri pikë të arta në Londër, duke mposhtur Tottenhamin në shtëpi. Goli i Huth në minutën e 83 i mjaftoi formacionit të Ranierit për t’u barazuar me pikë me Arsenalin e vendit të parë, por pozicionohen ne vendin e dytë vetëm për shkak goldallimit.

Chelsea vazhdon serinë pa humbje që nga shkarkimi i Mourinhos, por në “Stamford Bridge” një pikë nuk lë asnjë të kënaqur, aq më tepër kur goli vjen pesë minuta nga fundi.

Edhe pse në një ndeshje të dobët, Chelsea po marshonte drejt një fitoreje të rëndësishme, por në rezultatin 2-1 miqtë e ËBA gjejnë golin me McClean duke i mohuar festën vendasve e duke bërë që ndeshja të mbyllet në 2-2.

Në ndeshjet tjera, Southampton shënoi fitore në shtëpi përballë Watford 2-0, njëjtë sikurse Stoke City që mposhti 3-1 miqtë e Norwich. Sunderland arriti një fitore të rëndësishme përballë uellsianëve të Swansea pasi fituan 2-4 në shtëpinë  e këtyre të fundit.

Top Channel