Kupa e Mbretit, Barça fiton sërish, eliminohet Villarreal

13/01/2016 00:00

Barcelona ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Espanyolit me rezultat 0-2 për t’u kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Mbretit. Mungesa e Suarez nuk u vu re, pasi për pjesën e golave mendoi Munir.

Çështja e kualifikimit u mbyll që në sfidën e parë, pasi Barça fitoi me rezultat 4-1, por formacioni i Enriques nuk neglizhon duke u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm 6-1.

Lionel Messi nisi edhe zyrtarisht punën për “Topin -e gjashtë- të Artë” kur në të 32-n kujdeset t’i japë një asist Munir që nuk gabon për 1-0. Goli i dytë u shënua dy minuta nga fundi i ndeshjes, ku sërish protagonist ishte 20-vjeçari spanjoll.

Një biletë për në çerekfinale siguruan edhe Las Palmas të cilët fituan në shtëpi përballë Eibarit 3-2, duke u kualifikuar me rezultat të përgjithshëm 6-4. Edhe Celsta Vigo nuk kishte shumë punë, pasi epërsia e ndeshjes së parë ishte e paarritshme për inferiorët e Cadiz të cilët u mundën edhe në transfertë 2-0.

Ndërkohë, eliminohet edhe Villarreal që humbet edhe sfidën e dytë, kësaj radhe në shtëpi, nga Bilbao 0-1.

Top Channel