Zbardhen mesazhet, “El Chapo” flirtonte me aktoren

14/01/2016 00:00

Media raportoi se fiksimi i “El Chapos” për të realizuar një film për jetën e tij e shtyu atë drejt arrestimit, por në të vërtetë, lordi i drogës kishte një fiksim tjetër, aktoren Kate del Castillo, e famshme për një rol si bose e drogës në një serial televiziv.

Aktorja dhe bosi i drogës janë takuar në tetor të vitit të kaluar, bashkë edhe me aktorin Sean Peen, të cilin Guzman nuk e njihte fare. Janë publikuar disa mesazhe të shkëmbyera mes lordit të drogës dhe Del Castillos ku dallohet qartë se Guzman po flirtonte.

“Nuk kam fjetur shumë që kur të pash ty. Jam shumë e entuziazmuar për projektin… e vetmja gjë për të cilën po mendoj”, i shkruan aktorja Guzman, ndërsa ky i fundit ia kthen: “Jam më shumë i entuziazmuar për ty se për projektin”.

“Do të kujdesem për ty. Do ta shohësh kur të vish”, ishte një tjetër mesazh i Guzman drejtuar aktores. “Je shumë e bukur, në çdo aspekt”, shkruhej në një tjetër mesazh.

Kishte edhe mesazhe kur “El Chapo” pyeste për emrin e aktorit dhe se në çfarë filmash ka luajtur ai, duke dëshmuar hapur se nuk e njihte Sean Peen.

Autoritetet meksikane kanë thënë se pas takimit të parë është zhvilluar një operacion për kapjen e “El Chapos”, por ai rrëmbeu vajzën e kuzhinierit të tij dhe e shfrytëzoi si mburojë njerëzore çka detyroi ushtarët të mos hapin zjarr.

Guzman arriti të largohej në drejtim të Los Mochis, vendlindjes së tij, që sipas një zyrtari, edhe për shkak se ishte shumë i interesuar të takonte për të dytën herë aktoren Castillo. Sidoqoftë, ky takim nuk u zhvillua kurrë, pasi fiksimi për aktoren e riktheu “El Chapon” në burg.

Top Channel