Shpërthim në një stacion policor në Turqi, 6 të vdekur

14/01/2016 00:00

Vetëm dy ditë pas sulmit kamikaz në lagjen historike të Stambollit, Sulltanahmet, një tjetër shpërthim, këtë herë i shkaktuar nga një autobombë, mori 6 jetë njerëzish në Turqi e plagosi gati 40 të tjerë.

Mes të vdekurve është edhe një grua e re dhe foshnja e saj. Punonjësit e shpëtimit kërkuan disa orë rresht për të mbijetuar mes gërmadhave të ndërtesës së policisë në Cinar të provincës juglindore të Diarbakirit. Zyrtarët nxituan të fajësojnë për ngjarjen militantët e Partisë Punëtore të Kurdistanit, të cilët janë shumë aktivë në këtë zonë.

Megjithatë, deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë e sulmit. Forca e shpërthimit ishte aq e madhe sa dëmtoi edhe godinat përreth, ku u vranë dhe nëna me fëmijën e saj. Ka raporte se ndaj zyrave të policisë u qëllua edhe me raketa.

Një tjetër komisariat policie në qytetin Midyat të provincës fqinje Mardin u mësy dhe ai nga militantët, por në këtë rast nuk ka të dhëna për viktima.

Diarbakiri ka qenë skenë përleshjesh të ashpra mes përkrahësve të PKK-së dhe ushtrisë turke këto muajt e fundit. Vitin e kaluar, në disa pjesë të saj u vendos ndalim-qarkullimi në vazhdën e operacionit madhor të sigurisë që pasoi vrasjen e 16 ushtarëve turq nga shpërthimi i një bombe dhe një prite të rebelëve ku humbën jetën 14 oficerë policie. Që të dy këto incidente ndodhën në lindjen e trazuar të vendit. Me kolapsin e pushimzjarrit me PKK-në në muajin korrik, avionët turq nisën bombardimin e bazave të saj në veri të Irakut, ku trupat e Ankarasë ndërmorën edhe një operacion masiv tokësor. 

Turqia është pjesë e koalicionit anti-ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që sulmon prej muajsh tashmë pozicionet e ithtarëve të Shtetit Islamik në Irak e Siri, por shumë shpejt u akuzua se në vend që të shënjestronte armikun e përbashkët, po godiste më së shumti objektiva të PKK-së, çka zemëroi kurdët e përfshirë në luftime me ISIS-in në disa territore të pushtuara prej tij.

Top Channel