Indonezi, shpërthime dhe përleshje me armë në Xhakarta; 7 viktima

14/01/2016 00:00

Shpërthime të njëpasnjëshme bombash tronditën mëngjesin e sotëm kryeqytetin e Indonezisë, Xhakarta, ku situata ende nuk është qetësuar e ka dhe raporte për të shtëna nëpër rrugë. Të paktën 7 janë të vdekurit, 5 nga të cilët dyshohet të kenë qenë agresorë.

Policia beson se në valën e koordinuar të dhunës që pati edhe një qendër tregtare mes shënjestrave të saj, u përfshinë mbi një duzinë sulmuesish. Disa janë ende të lirë e një pjesë patën edhe shkëmbime zjarri me forcat e rendit.

Presidenti Joko Widodo bëri thirrje për qetësi, ndërsa e dënoi me forcë atë që e quajti një akt të pastër terrori. « Vajtojmë për viktimat e këtij incidenti që trazoi paqen e sigurinë dhe përhapi terrorin mes njerëzve tanë », ishin komentet e tij.

Nuk ka ende asnjë të dhënë mbi përgjegjësit e ngjarjes së rëndë. Indonezia është bërë jo rrallëherë në të kaluarën pre e sulmeve islamike dhe përgjatë gjithë periudhës festive ishte në gjendje alarmi pas kërcënimeve të ISIS-it.

Është ende shpejt për të pohuar se kush qëndron pas shpërthimeve të orëve të para të ditës së sotme, megjithatë policia e Xhakartës e kish profetizuar një goditje në tokën indoneziane, e bindur se ishte thjesht çështje kohe. Vetë natyra e sulmeve tregon se janë organizuar në mënyrë të tillë që të shkaktojnë dëm maksimal.

150 deri në 200 indonezianë mendohet të kenë shkuar vitet e fundit në Siri për të luftuar në krah të militantëve të Shtetit Islamik. Një pjesë e tyre janë kthyer mbrapsht e autoritetet dyshonin se mund të përgatisnin sulme brenda kufijve. Indonezia është shteti me popullsinë më të madhe myslimane në botë, por edhe pse në pjesën dërrmuese të saj kjo e fundit nuk është praktikante e fesë, kërcënimi i radikalizimit ka disa vite që i kanoset vendit.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel