Gjirokastër, pranga 3 doganierëve të Kakavijës; favorizonin kontrabandën

14/01/2016 10:55

Agjentë të antikrimit financiar në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës kanë vënë në pranga në orët e fundit 3 doganierë të pikës kufitare të Kakavijës.

Lajmi bëhet i ditur përmes një njoftimi për shtyp, sipas të cilit doganierët në fjalë akuzohen për shpërdorim detyre, konkretisht për favorizim të kalimit të mallrave kontrabandë.

Sipas burimeve, fillimisht agjentët kanë vënë në pranga doganierin Ilirian Ymeraj, 42 vjeç nga Fieri, i cili në këmbim të 200 eurove kishte lejuar shtetasin Edison Qose të kalonte mallrat e tij pa paguar detyrimet doganore.

Burimet saktësojnë se Qose, 42 vjeç dhe banues në Shkozë, u ndalua në aksin Kakavijë-Tepelenë teksa transportonte 1.3 ton mallra ushqimore.

Policia ka bllokuar ngarkesën në fjalë, të ardhur nga Greqia e që po transportohej me një makinë tip “Fiat” me targë “AA 513 IU”, pronë e shtetasit Qose.

Ndërkohë, në vijim të veprimeve proceduriale agjentët e antikrimit financiar kanë konstatuar përfshirjen në këtë aferë korruptive edhe të dy doganierëve të tjerë, Islam Thana, 42 vjeç nga fshati Picar dhe Eneida Çuçi, 35 vjeç dhe banuese në Gjirokastër.

Sikurse kolegu i tyre, këta të dy akuzohen po ashtu për “shpërdorim detyre”, pasi kanë qenë me shërbim në doganën e Kakavijës, ku me veprimet e mosveprimet e tyre kanë favorizuar kalimin kontrabandë të mallrave ushqimore të shtetasit Edison Qose.

Top Channel