Sainz tërhiqet nga Rally Dakar

14/01/2016 00:00

Etapa e 10 e Rally Dakar, Belen-La Rioja, ku përfshihej një etapë speciale 244 km e gjatë, mori një kthesë vendimtare në kategorinë e makinave. Kryesuesi i aktivitetit për këtë kategori, Carlos Sainz pati një problem në kutinë e kambios në makinën e tij Peugeot, duke u detyruar të braktisë këtë etapë si dhe krejt evenimentin.

Etapa e 10 në fakt u fitua nga Stefan Peterhansel me 3 orë 58 minuta e 32 sekonda, i ndjekur në vendin e dytë nga francezi Despre me 5 minuta e 40 sekonda më shumë, ndërsa i treti u pozicionua rusi Vasilijev. Sebastian Loeb e përfundoi etapën në vendin e pestë.

Në renditjen e përgjithshme, kryesimin e merr pikërisht Peterhansel, i ndjekur nga Al-Atijah dhe De Viliers në vendin e dytë dhe të tretë. Francezi Sebastian Loeb gjendet në vendin e nëntë, me mbi 2 orë më shumë se Peterhansel.

Në kategorinë e motorëve fituesi i etapës së 10 ishte sllovaku Svitko me 3 orë 47 minuta e 23 sekonda. Menjëherë pas tij në vendin e dytë u rendit argjentinasi Benavides, me 2 minuta e 54 sekonda më shumë, ndërsa i treti doli australiani Toby Price.

Në klasifikimin e përgjithshëm të kësaj kategorie vazhdon të kryesojë piloti i KTM-së, Price, ndërkohë që në vendin e dytë gjendet Svitko. Vendi i tretë është për kilianin Quintanilla.

Top Channel