Australi, evakuohet opera pas kërcënimeve në rrjetet sociale

14/01/2016 11:50

Policia në Sidnei të Australisë evakuoi ndërtesën e famshme të operas pas disa kërcënimeve në rrjetet sociale. Teatri ikonë i qytetit australian u rrethua nga kordonë policie, ndërsa e gjithë zona u zbraz nga njerëzit për kontrolle.

Detektorë metalesh u vendosën aty paraditen e sotme, ndërsa kureshtarët u mbajtën 150 metra larg ndërtesës që për 90 minuta u ruajt nga forca të shumta policore e personel i shtuar sigurie.

Autoritetet sqaruan se kontrollet u kryen si masë parandaluese, por nuk dhanë detaje të mëtejshme. E përditëshmja “Daily Telegraph” e Sidneit megjithatë raportoi se i gjithë ky pështjellim lindi pas kërcënimeve mbi një objekt të dyshimtë brenda godinës së konsideruar mrekulli të arkitekturës, por për të tilla pretendime nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.

Top Channel