Reforma në drejtësi, Vlahutin: Vazhdoni dialogun

14/01/2016 00:00

Ambasadorja e Bashkim Europian Romana Vlahutin bëri apel për dialog dhe komunikim mes palëve për reformën në drejtësi , pasi sipas diplomates të dy këto komponentë kanë rëndësi kritike për sukses.

Këtë mesazh zonja Vlahutin e dha në mbledhjen e tretë të komitetit të palëve të interesuara të misionit europian të asistences në sistemin e drejtësisë, Euralius.

Mbledhja e këtij forumi teknik që organizohet çdo gjashtë muaj, u zhvillua me dyer të mbyllura në ministrinë e Drejtësisë. Në një klimë të tensionuar kur palët ende nuk kanë gjetur një pikë të përbashkët për reformën në drejtësi, Vlahutin u shpreh se Askush nuk pret të ketë një marrëveshje të plotë mbi gjithçka”.

Por në një demokraci, ka shtuar ambasadorja e BE, është shumë e rëndësishme të shkëmbehen mendime për të kërkuar zgjidhjet më te mira. Megjithatë, në këtë tryezë ku ishin të pranishëm anëtarë të KLD, përfaqësues të gjyqësorit, kreu i komisionit për çështjet ligjore Fatmir Xhafa e kryetari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, mungonin dy përfaqësuesit e opozitës e gjithashtu anëtare të komisionit, Oerd Bylykbashi dhe Eduart Halimi. Në fakt për mungesën e dy përfaqësuesve të opozitës në këtë forum teknik paralajmëroi më herët gazeta “Rilindja Demokratike”, e cila në një artikull , vëente se dy përfaqësuesit ishin ftuar në takim, por nuk ishin përfshirë në axhendë për të folur. Megjithëse të dy përfaqësuesit e opozitës, mungonin në fjalën e shpërndarë nga zyra e shtypit Vlahutin i ka ftuar ata që të flasin.

“Unë do t’ju inkurajoja po ashtu të merrni pjesë në diskutim meqë po përpiqemi të alternojmë folësit për hapjen e çdo takimi dhe personalisht do të isha mirënjohës nëse do ta merrnin fjalën përfaqësuesit e partive opozitare në Komisionin e Posaçëm, veçanërisht zëvendëskryetari” – ka thënë në fjalen e saj Vlahutin.

Top Channel