Riciklimi i ujërave të zeza, ndërtohet impianti i dytë në Tiranë

14/01/2016 15:30

Kryetari i Bashkise Tirane, Erion Veliaj dhe ministri i Transportit dhe infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, inspektuan punimet në projektin e impiantit të përpunimit të ujërave të përdorura, një financim japonez që parashikon ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të ndotura.

“Nga ky projekt do të përfitojnë 350 mijë banorë të Tiranës, që merr shërbime në qytet dhe besoj se vjen në një kontekst ku pas përmbytjeve, të gjithë jemi bërë pak më të ndjeshëm për infrastrukturën që kemi trashëguar”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Sipas Veliajt kjo është hera e parë në më shumë se 50 vjet që po ndërhyhet në gjendjen e kanalizimeve dhe pastrimin e ujërave të zeza. Ndërsa për ministrin Haxhinasto një investim i tillë mbetet i rëndësishëm në aspektin mjedisor.

“Vepra është një mundësi e madhe punësimi. Gjëja më e rëndësishme është që produkti do të jetë shumë cilësor dhe do u shërbejë aktualisht, sipas të dhënave teknike dhe sipas projektit, rreth 350 mijë banorëve të Tiranës, por mundësia është që me një ndryshim teknologjik që jemi duke e diskutuar me kontraktorin, kjo vlerë të dyfishohet”, tha ministri Edmond Haxhinasto.

Impianti i përpunimit të ujërave të ndotura është i dyti për nga madhësia në zonën e Evropës Juglindore me një kapacitet përpunimi prej 75 mijë m3 ujë në ditë. Vlera e tij kap shifrën e 77.5 milionë eurove.

Top Channel