70 OJQ kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve në Maqedoni, Hahn kundër

14/01/2016 00:00

Të paktën 70 organizata joqeveritare në Shkup kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 24 prillit.

Përfaqësuesit e këtyre organizatave i kanë nisur një letër të përbashkët komisionarit evropian për zgjerim Johanes Hahn, të cilin e kanë njoftuar se në Maqedoni nuk janë përmbushur kushtet dhe nuk ekziston atmosferë e përshtatshme për një proces zgjedhor të lirë dhe demokratik.

“Kërkojmë nga BE-ja, SHBA-të dhe faktorët tjerë të përfshirë në zgjidhjen e krizën politike në Maqedoni, t’i pranojë argumentet tona dhe të vendosin për shtyrjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare deri sa të përmbushen të gjitha pikat e Marrëveshjes së 2 qershorit dhe reformat që kanë të bëjnë me zgjedhjet. Ne kërkojmë që qytetarët të kenë mundësi në atmosferë korrekte të shprehin vullnetin e tyre ditën e votimeve”, tha Fani Panovska, OJQ “Shoqëri e hapur”.

Por, komisionari Hahn, kërkon që zgjedhjet të mos shtyhen. Në një komunikate me shkrim, ku ka konfirmuar se ditën e premte do ta vizitojë Shkupin, Hahn thotë se zgjedhjet duhet të mbahen më 24 prill ashtu siç e parashikon marrëveshja e 2 qershorit.

Në bazë marrëveshjes, dita e premte është afati i fundit kur Nikolla Gruevski duhet të jep dorëheqje nga posti i kryeministrit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë kalimtare që duhet të organizojë zgjedhjet e parakohshme.

Vetë Gruevski në disa raste ka deklaruar se do ta respektojë marrëveshjen, ndërsa ende nuk dihet kush do ta zëvendësojë atë.

Top Channel