Skandali në atletikë, i përfshirë dhe presidenti Putin

14/01/2016 00:00

Komisioni i pavarur i Agjencisë Botërore Antidoping, i kryesuar nga Dik Paund, publikon pjesën e dytë të raportit të tij për korrupsionin dhe përdorimin e dopingut në atletikë.

Pritet që edhe kjo pjesë të shkaktojë një tërmet të madh në atë që konsiderohet si mbretëresha e sporteve.

Në pjesën e parë të këtij raporti u zbulua përfshirja e Rusisë në skandalin e dopingut gjë që solli edhe përjashtimin e kësaj federate nga aktivitetet, duke rrezikuar edhe pjesëmarrjen e saj në Lojërat Olimpike të këtij viti.

Mësohet se ky raport i dytë prej 89 faqesh konfirmon mashtrimet që janë bërë nga drejtuesit e atletikës botërore, ndërkohë që shfaqet edhe emri i Vladimir Putin.

Në këtë raport del në dritë një bisedë e ish-presidentit të Federatës Ndërkombëtare të Atletikës, Lamin Diak me avokatin Roberts, duke i thënë se vetëm presidenti rus mund ta ndihmonte të dilte nga situata e vështirë ku ndodhej.

Një bisedë e tillë konfirmon përfshirjen e vetë Putin në fshehjen e rezultateve pozitive në testet antidoping të sportistëve rusë. Kjo hipotezë përforcohet akoma më shumë edhe nga fakti që 9 sportistë rusë që edhe pse u përjashtuan nga botërori i Moskës, nuk u hetuan asnjëherë për përdorim dopingu.

Por jo vetëm kaq, raporti i Komisionit të ËADA-s zbuloi gjithashtu dhe një rritje të papritur të të ardhurave nga të drejtat televizive të Botërorit të Atletikës së vitit 2013 nga 6 në 25 milionë dollarë dhe e gjithë kjo u bë falë edhe një ndërhyrjeje të një prej bankave ruse.

Mësohet se për këtë çështje në Moskë u zhvillua një takim mes Diak, ish-presidentit të Federatës ruse të Atletikës, Balakcnikev ku u gjet një akord me institutin financiar rus për rritjen e këtyre të ardhurave. Në përfundim të këtij raporti, rekomandohet që IAAF të bëjë një ristrukturim në mënyrë që këto skandale korrupsioni të mos përsëriten më.

Top Channel